Pastrim parash në Call Center, Prokuroria po heton edhe blerësit e apartamenteve të reja
Prokuroritë ne të gjitha rrethet e vendit kanë nisur hetimet për një skemë të dyshuar të pastrimit të parave në Shqipëri nga persona të cilët dyshohet se e kanë vënë nga aktiviteti kriminal. Në verifikim janë disa call centera që kane qendrat në Shqipëri si dhe pronarët që kanë blerë shumë hapësira në objektet e reja të ndërtuara në Tiranë apo dhe në zona bregdetare.
Një sinjalizim nga Drejtoria e Pastrimit të Parave ka vëne në lëvizje Prokurorinë e Tiranës, e cila ka nisur hetimet duke verifikuar aktivitetin e disa prej call centerave që veprojnë në Shqipëri me dyshimet se po përdoren për pastrim parash.
Skema dyshohet se funksionin nëpërmjet telefonatave që u bëhen personave ne shtete të ndryshme ku kërkohet të blejnë aksione për kompani, të cilat në shumë raste janë në prag të falimentimit.
Shumë prej të dëmtuarve nga kjo skemë mësohet se kanë investuar në këto kompani të cilat më pas kanë falimentuar.
Në sit janë vendosur disa prej kompanive të hapura në Shqipëri por që kanë qendra edhe ne vende të tjera.
Në lidhje me këtë hetim u janë dërguar letër-porosi disa shteteve ku mendohet që këto kompani veprojnë për të marrë në pyetje kryesisht personat e dëmtuar.
Një tjetër mënyre që po përdoret për të pastruar paratë dyshohet se është edhe blerja e objekteve te reja si dyqane dhe banesa në pallate të sapo ndërtuar kryesisht në qendër të kryeqytetit apo në qytete bregdetare.
Hetuesit dyshojnë se këto objekte blihen me një çmim më të lirë pasi paratë paguhen kesh në dorë dhe shiten me pas me çmim disa here më të lartë.