BOOM - Arti "pushtohet" nga politika, në kohë fushate hapen vende pune në Cirk

Emisioni investigativ BOOM ka sjellë fakte se si në kohe fushate në Cirkun Kombëtar të Tiranes jo vetëm që hapen vende pune të reja, por me urdhër nga lart akrobatëve i hiqet padrejtësisht kategoria duke i mbajtur një shumë të caktuar parash.

Vajza: Drejtori me pa të drejtë, më ka hequr kategorinë ma ka ulur nga ajo e para në të dytën. Nuk kam marrë asnjë përgjigje pse.

Uljen e kategorisë Drejtori i Cirkut Kombëtar të Tiranës Ilirjan Gjini e justifikon me faktin  që ka ndërhyrje nga lart për të vepruar. 

Drejtori: Më ka ndërhyrë një njeri dhe jemi në fushatë. Çështja është se unë kam disa obligime dhe me merr tjetri në telefon, kaq dhe po deshe mos e bëj ti.

Edhe pse ka pothuajse një vit që Cirku nuk zhvillon asnjë aktivit për shkak të pandemisë drejtori pranon  se do të hapen vende të reja pune para fushatës. 

Drejtori: Është politika para fushatës. Do të hapen 5 vende të reja pune. Ka marrë fund ai muhabet, 2 janë marrë, do futen edhe 3 të tjerë.

Vendimi i drejtorit të Cirkut është i kundraligjshëm sepse në bazë të rregullores është drejtuesi artistik ai që i propozon drejtorit masa administrative për akrobatët.

Në këtë rast kjo nuk ka ndodhur, për më tepër që artistet kanë pothuajse një vit që nuk japin shfaqje për shkak të pandemisë.