Rruga e bllokuar për te varrezat, banorët e Farkës në protestë ndërsa administratori takim elektoral në shkelje të masave anti-Covid

Banorët e Farkës dolën në protestë për bllokimin e rrugës. Ndërtimi i Unazës së Madhe dhe barrierat mbrojtëse i kanë detyruar ato të devijojnë rrugën.

"Rruga ekzistuese që shkonim tek pronat, tek vreshtat, tek ullinjtë, tek shtëpitë, te varrezat të gjitha, që janë me dhjetëra familje në vazhdimësi të kësaj rruge neve na është bllokuar," thotë një banor.

"Kam 7 dynym tokë që i kam pronë dhe nuk është mundësia  që të më japin një copë rrugë këtu që të kaloj te prona ime," thotë një banor tjetër.

Sipas tyre në rast fatkeqësie nuk kanë se ku të kalojnë.

"Nëse ne na vdes një njeri nuk mund të shkojmë me makina te varrezat, duhet të marrim helikopterët që të shkojmë," thotë banori.

"Ku do e kalosh një , qoftë larg të ndodhë një xhenaze, ku do e kalosh aty? Ta kalojmë sipër hekurave," thotë një tjetër.

Banorët thonë se janë ankuar në Bashki por edhe pse kanë marrë përgjigje me premtimin për zgjidhjen e situatës,  ende nuk është bërë asgjë.

"Jemi ankuar në pushtetin vendor dhe na kanë thënë që do ketë zgjidhje, po zgjidhja po shkon drejt përfundimit, ne rruga na është bllokuar. Kërkojmë që brenda javës ky problem të zgjidhet. Rruga të hapet 6 metra, që nga porta e kartodromit e deri te varrezat aty poshtë," thotë banori.

Në kohën kur banorët po ankoheshin dhe Ora News po transmetonte live protestën, zona u rrethua nga policia  patrullat Shqiponja.

"Nuk e di pse kanë ardhur. Pse nuk vjnë të ndalojnë ata të rrugës ata që na morën rrugën neve, po vijnë na kërcënojnë këtu," thotë banori.

Administratori i Farkës, Ardian Tufa, nuk u përgjigj në lidhje me fushatën pasi po merrej me fushatën.

Në kundërshtim me rregullat anti-covid , z.Tufa duket se këto kohë po i kushton më shumë vëmendje takimeve elektorale se sa ankesave dhe denoncimeve të banorëve të zonës.