"Votoni"/ Apeli i Osmanit: Ora e fundit për të përcaktuar fatin e vendit
Kur kanë mbetur edhe rreth 30 minuta nga mbyllja e votimeve, kandidatja për presidente nga radhët e Vetëvendosjes, Vjosa Osmani ka ftuar qytetarët që nuk kanë dalë ende për të votuar, të shkojnë në qendrat e votimit.
"Ora e fundit për ta përcaktuar fatin e vendit tonë. Votoni!", shkruan Osmani në Facebook.
Sipas rrjetit të organizatave për vëzhgimin e zgjedhjeve në Kosovë, Demokracia në Veprim (DnV) ka njoftuar se deri në ora 16:00 kanë votuar rreth 37% e qytetarëve me të drejtë vote.
Sipas tij, Prishtina dhe Ferizaj janë qytetet me daljen më të madhe në votime, e që kanë popullsinë me shumicë shqiptare. Dalja në zgjedhje në këto dy qytete është mbi 40%.
Komuna e Prizrenit është qyteti me pjesëmarrjen më të ulët në votime. Komunat me shumicë serbe vazhdojnë të kenë pjesëmarrjen më të lartë në votime, mbi 50%
Të drejtë vote në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 14 shkurtit kanë 1.794.862 qytetarë.
Ata mund të votojnë në 888 qendra të votimit, që kanë 2.382 vendvotime në 38 komunat e Kosovës.