Qendrat e votimit hapur deri në orën 19:00, 1 milion e 800 mijë kosovarë kanë të drejtën e votës
Qytetarët e Kosovës zgjedhin sot 120 deputetët që do i përfaqësojnë në parlament për katër vitet e ardhshme.
Qendrat e votimit u hapën të dielën në orën 7 nën regjimin e maskave dhe të masave mbrojtëse nga pandemia.
38 komunat e vendit presin mbi 1 milion e 700 mijë persona ta ushtrojnë të drejtën e votës deri në orën 19.
“Duke u mbështetur në të dhënat nga qendrat e votimit, deri në orën 11:00 kanë votuar 8.30 për qind e votuesve, apo 145 mijë e 650 votues. Deri në të njëjtën kohë në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës të vitit 2019 kishin votuar 9.64 për qind, apo 174 mijë e 669 votues.”
Garës së 14 shkurtit i janë bashkuar 28 subjekte, prej të cilave 21 parti politike, 2 koalicione dhe 5 nisma qytetare.
Nga partitë e mëdha, Lëvizja Vetëvendosje ka si kandidat për kryeministër, Albin Kurtin, që këtë vit nuk garon për deputet. LDK-ja përfaqësohet me kryeministrin në detyrë, Avdullah Hoti, ndërsa partia e tretë, PDK-ja, me Enver Hoxhajn.
Kushtetuta e Kosovës i garanton 10 mandate minoritetit serb dhe 10 karrige të tjera për pakicat kombëtare.
“Deri më tani, që nga hapja është karakterizuar me një dalje të madhe të votuesve në zonat me shumicë serbe, përderisa në pjesën tjetër të Kosovës kemi një trend përafërsisht të njëjtë të daljes edhe në zgjedhjet e kaluara të vitit 2019.”
Organe të ndryshme të shtetit, nga Prokuroria, te Gjykatat dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve u koordinuan këtë javë për një proces zgjedhor pa probleme.
Koalicioni i organizatave vendore për monitorimin e zgjedhjeve raportoi megjithatë disa parregullsi me listat përfundimtare apo me vetë procesin.
“Sërish është evident fakti që ka pasur raste të votimit me dokumente jo valide ... cenimi i fshehtësisë së votës, i cili manifestohet kryesisht përmes fotografimit të saj ka vijuar që të shfaqet edhe në këto zgjedhje."