Shefi i BE-së i impresionuar nga organizimi i zgjedhjeve në Kosovë
Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog ka vizituar qendrën e votimit në shkollën fillore "Dardania" dhe ka ndjekur nga afër procedurat e procesit zgjedhor në qendërn e votimit.
Ai e ka quajtur impresionues organizmin e zgjedhjeve në Kosovë.
Szunyog ka porositur qytetarët e Kosovës që të respektojnë masat anti covid, teksa ka thënë se është ende herët për të dhënë një mendim lidhur me pjesëmarrjen e qytetarëve në zgjedhjet e parakohshme parlamentare që po mbahen sot.
"Edhe pse moti është sfidues ne kemi dalë për të monitoruar zgjedhjet. Deri tani është e vështirë të japim një konkluzion konkret, por mund të shoh se njerëzit nëpër qendrat e votimit kanë njohuri për procesin dhe e dinë çfarë po bëjnë, janë të vetëdijshëm për rëndësinë. Organizimi i zgjedhjeve është impresiv. Natyrisht kemi parë se ka edhe vështirësi për shkak të pandemisë Covid-19 dhe të gjitha masave që duhet të ndërmerren lidhur me pandeminë. Kam dëshirë t'u them të gjithë atyre që duan të votojnë që t'i respektojnë masat kundër pandemisë," tha ai.
Ai ka thënë se do të ndjekë nga afër procesin e votimit edhe në qendra të tjera.
"Ne jemi të interesuar për pjesëmarrjen e votuesve në këto zgjedhje. Natyrisht këtu në Prishtinë është më e lehtë pjesëmarrja, por deri më tani kemi parë se kushtet atmosferike nuk kanë pasur efekt negativ në daljen e qytetarëve për të votuar. Por, sërish do na duhet të presim gjatë ditës për të parë sa do të jetë pjesëmarrja në këto zgjedhje. Gjithashtu kemi planifikuar të dalim edhe jashtë Prishtinës, të shikojmë sesi rajonet e tjera po votojnë. Kushtet atmosferike janë të vështira, por ne do të tentojmë të dalim për të monitoruar edhe qendrat e tjera," shtoi ai.