Serbët në veri votojnë në mënyrë të organizuar
Qytetarët e Kosovës zgjedhin sot 120 deputetët që do i përfaqësojnë në parlament për katër vitet e ardhshme.
Qendrat e votimit u hapën të dielën në orën 7 nën regjimin e maskave dhe të masave mbrojtëse nga pandemia.
12:53/ Të drejtuar nga zyrtarë të partisë Lista Sërpska, serbët në veri të Kosovës edhe këtë vit kanë shkuar të votojnë në mënyrë të organizuar. Këto janë zgjedhjet e para në veri që nuk organizohen me mbështetjen e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE).
Zgjedhje në Kosovë, deri në 11:00 kanë votuar mbi 145 mijë qytetarë, liderët apel për pjesëmarrje
11:56/ Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë ka njoftuar se deri në orën 11:00 kanë votuar rreth 145 mijë qytetarë.
Pjesëmarrja e qytetarëve është në 8.34% apo ndryshe 145 650 votues.
“Procesi i votimit është duke vijuar normalisht. Nuk ka raportime për incidente të cilat mund të dëmtojnë integritetin e ditës së zgjedhjeve. Deri në ora 11:00 kanë votuar 8,30 për qind e votuesve apo 145 mijë e 650 votues nga 1 milionë 794 mijë e 862 votues. Deri në të njëjtën kohë në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të vitit 2019 kishin votuar 9,64 për qind apo 174 mijë e 669 votues nga 1 milion e 937 mijë e 868 votues sa kanë qenë atë kohë”, ka thënë kryetarja e KQZ.
Kjo shifër rezulton të jetë e dobët në krahasim me zgjedhjet e tjera.
"Do pres që të kemi nëj proces të rregullt zgjedhor në mënyrë që të mirëmbajmë standartet e organizimeve të zgjedhjeve, rregullat sipas standarteve më të mira evropiane në zgjedhje të lira", ka thënë kryeministri Hoti.
07:25/ Kryetarët e partive kryesore në Kosovë ftuan të dielën qytetarët të ushtrojnë masivisht të drejtën e votës.
Presidentja në detyrë, Vjosa Osmani, njëherësh garuese në koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje, tha se e ardhmja e vendit varet prej votës së çdokujt.
"E një ftesë e veçantë për gjitha gratë dhe vajzat e Kosovës që të marrin pjesë në këtë proces, sepse barazia fillon tek kutitë e votimeve," u shpreh Osmani.
Vetëvendosja, Lidhja Demokratike dhe PDK-ja dolën tri partitë me zgjedhësit më të shumtë në zgjedhjet e kaluara.
Tashmë pretendentët përkatës për kryeministër, Albin Kurti, Avdullah Hoti dhe Enver Hoxhaj shpresojnë se do e zgjerojnë bazën e mbështetësve për ta qeverisur të vetëm vendin.
“Sot është ditë e bardhë, e ndritshme ashtu siç do jetë edhe e ardhmja. Qytetarët kanë nevojë për demokraci, institucionet kanë nevojë për legjitimitet," tha Albin Kurti.
“Unë ftoj të gjithë qytetarët që kanë të drejtë vote që sot ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre për te votuar, sot është dita e tyre ata sot thonë fjalën e tyre," u shpreh Hoti.
“Ne mendojmë që qytetarët e Kosovës sot janë para dy opsioneve, para opsionit të rimëkëmbjes ekonomike të stabilitetit politik dhe të integrimit ndërkombëtar apo para opsionit të mjegullës dhe të izolimit ndërkombëtar," tha Hoxhaj.
Ish-kryeministri dhe shefi i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, në këto zgjedhje nuk synon më postin e krye-qeveritarit, por atë të presidentit, ndërsa Fatmir Limaj nga Nisma Socialdemokrate apeloi për stabilitet.
"Të gjitha këto vijnë nëse vazhdojmë të jemi krenar për të kaluarën dhe duke mos e mohuar të kaluarën mund të ecim në të ardhmen," u shpreh Limaj.
"Na presin shumë sfida, përballja me Serbinë, situata me pandeminë edhe forcimi i brendshëm i vendit. Pra ju lutem votoni të gjithë", tha Haradinajj.