Serbia ia dorëzon Maqedonisë së Veriut dërgesën e parë të vaksinave

Maqedonia e Veriut është vendi më i ri i Ballkanit Perëndimor që ka siguruar vaksinat kundër Covid-19.

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, i dhuroi të dielën vendit 4,680 dozat e para të vaksinës "Pfizer".

Dorëzimi u krye në pikën kufitare të Tubanocit, në praninë e kryeministrit maqedonas, Zoran Zaev.

Serbia pritet t'i dhurojë fqinjit të vet jugor gjithsej 8 mija doza anticovid, në shenjë miqësie dhe solidariteti për pandeminë.

"Miku i vërtetë është ai që ju gjendet pranë në nevojë, jo kur e keni gjithçka të lehtë. Jam i lumtur që po i ndihmojmë vëllezërit dhe miqtë tanë. Serbia nuk ka asnjë interes tjetër," tha Vuçiç.

"Si asnjëherë më parë pandemia na tregoi se na lidhin vlerat më të mira, na lidhin qytetarët e dy vendeve tona. Ky akt forcon dhe çel perspektiva të reja për raportet mes nesh," shtoi Zaev.

Serbia vetë rezulton ndër vendet e para në Europë që po avancon më shpejt me fushatën e vaksinimit kundër Covid, falë përdorimit të vaksinave nga prodhues të ndryshëm.

Dozat e para ishin planifikuar t'u dorëzoheshin autoriteteve maqedonase të enjten, por presidenti Vuçiç tha se kjo ishte pamundësuar nga kompania, "Pfizer", e cila aplikon sanksione nëse nuk respektohen kriteret strikte të magazinimit të tyre.

Dozat e marra do të përdoren për të imunizuar personelin mjekësor më të rrezikuar nga kontakti me koronavirusin e ri.

Maqedonia e Veriut ka konfirmuar rreth 97 mijë persona të infektuar me Covid-19 në harkun e më pak se një viti.

Gati 3 mijë persona nuk kanë mundur t'i mbijetojnë sëmundjes infektive, ndërsa afro 6.500 raste po ndiqen në mënyrë aktive nga autoritetet shëndetësore.