Voton Vjosa Osmani: Ditë e bardhë për Kosovën! Falenderoj mërgatën për sakrificën
Presidentja në detyrë e Kosovës Vjosa Osmani ka votua pak momente më parë në qendrën e votimit.
Në një prononcim për media, Osmani ka thënë se e sotmja është një ditë e bardhë për Kosovën, teksa nuk ka hezituar të ftojë qytetarët për të marrë pjesë në zgjedhje.
Presidentja falënderoi veçanërisht emigrantët që kanë sakrifikuar për t’ju bashkuar zgjedhjeve, apo edhe ata që do të votojnë me postë.
“Sot është një ditë e bardhë për Kosovën, kur të gjithë qytetarët do të jenë të lirë pa dallim ku nëpërmjet vullnetit të tyre të lirë do ta përcaktojnë të ardhmen e vendit të tyre, shtëpisë tonë të përbashkët. Do të përcaktojnë fatin e vendit, por edhe fatin e tyre individual. Natyrisht që është një ditë e ftohtë, por i ftoj të gjithë qytetarët tanë që të marrin pjesë në këtë proces kaq të rëndësishëm për vendin. Një ftesë e veçantë dhe një inkurajim i veçantë për të gjithë gratë dhe vajzat e Kosovës që të marrin pjesë sot në këtë proces, sepse barazia fillon që në ditën e votimit.
Dua të falënderoj nga zemra të gjithë mërgatën tonë që kanë bërë një sakrificë të madhe që të marrin pjesë në këtë proces votimi qoftë duke ardhur personalisht, qoftë duke marrë pjesë në këtë proces votimi nëpërmjet postës. Një falënderim për të gjithë komisionerët, për të gjithë vëzhguesit që do ta mbrojnë dhe vëzhgojnë votën tonë, derisa të numërohet edhe e fundit”, ka thënë Osmani.