"Kur do shteti të të përmbytë, të përmbyt", uji përparon në tokat bujqësore

Reshjet e nisura prej datës 8 janar kanë përmbytur nën Shkodrën por edhe zona të tjera.

Vetëm këtë të premte sipërfaqes së mbuluar nga uji iu shtuan dhe më shumë se 300 hektarë, duke e çuar sipërfaqen e përmbytur në 5350 hektarë.

Situata më e rëndë paraqitet në fshatrat e Anës së Malit dhe të Dajçit, aty ku 25 shtëpi ndodhen të përmbytura,  të tjera janë të rrethuara nga uji

"I kam 8-9 dynym, janë të gjitha të përmbytura, " tha një banor.

"Të paktën të bëjë shteti diçka para zgjedhjeve për bagëtitë se s'duam ushqim ne," tha një banor tjetër.

Rruga që të çon për në Obot, prej fillimit të vitit ndodhet e bllokuar, dhe  niveli i ujit shkon deri në 150 centimetra. Tashmë çdo kontakt me jashtë fshatit bëhet me varkat e ushtrisë.

Edhe në aksin Shkodër-Velipojë prezenca e ujit ka shkaktuar vështirësi në lëvizje.

"Është shumë problem, dhe për veturat është problem," thotë një banor.

Në këto kushte, Koorporata Elektro-energjitike Shqiptare ka marrë vendim që për të shmangur përmbytjet e mëtejshme në nën Shkodër, të ulë shkarkimet me 300 metër kub për sekondë nga Hidrocentrali i Vaut të Dejës.

Për shkak të situatës së krijuar, kërkesës së Bashkisë Shkodër për shpalljen e gjendjes së fatkeqësisë natyrore lokale i është bashkuar edhe presidenti Ilir Meta.

Edhe fshatrat  Murqin e Mallkuç të Bubqit,  ndodhen nën ujë prej më shumë se një muaji.

Të mbjellat e këtij viti janë dëmtuar tërësisht, ndërsa fermerët bëjnë apel për ndihmë.

"Ka shumë shtëpi që ka hyrë uji brenda. Shteti duhet të verë dorën mbi popullin," thotë një banor.

Në Shijak, uji është larguar këtë të premte, por duke lënë pas dëme të mëdha për të paktën 26 familje, shtëpitë e të cilëve u përmbytën për të disatën herë këtë vit.

Dy familje në Shijak, dhe një në Sukth janë evakuuar. Fajin për përmbytjen ata ja lënë shtetit.

"Kur do shteti të të përmbytë, të përmbyt, çfarë t'i bësh," shprehen banorët.

Shkëputja e një masivi dheu në fshatin Sofraçan ka sjellë bllokimin për disa orë të rrugës së Arbërit në njërin krah. Probleme me rrugë, ka edhe në segmentin Qafa e Buallit - Bulqizë.