"Jo drejtësi me regji!" Presidenti nga Vlora i kujton SPAK padinë kundër Ardian Dvoranit

Presidenti, Ilir Meta, nga Vlora mbështeti çuarjen pas hekurave të çdo zyrtari të përfshirë në korrupsion dhe që shkel Kushtetutën, por duke iu referuar arrestimit të gjyqtares së Krujës, Meta tha se Shqipëria nuk ka nevojë për drejtësi me regji qëndrore, duke i kujtuar SPAK padinë që ai ka bërë nga ish-kreut të KED, edhe pse emrin e Ardian Dvoranit nuk e përmendi.

Nga Vlora, presidenti Ilir Meta ka reaguar për herë të parë këtë të premte për arrestimin e gjyqtares Enkelejda Hoxha.

Duke marrë shkas nga kjo ngjarje, Kreu i Shtetit i kujtoj SPAK-ut, se në tryezë ka edhe dosje të rëndësishme të zyrtarëve të lartë të drejtësisë.

Një vit më parë vetë Meta ka paditur në Prokurorinë e Posaçme ish-kreun e KED Ardian Dvoranin, duke e akuzuar për grusht shteti.

Meta: Për mua është shumë e rëndësishme që çdokush që shkel Kushtetutën dhe abuzon me detyrën do të ndëshkohet. Kjo nuk ka nevojë për drejtësi me regji sepse ka kohë që janë provat edhe për gjyqtarë të tjerë të funksionit të lartë.

Akuzave të mazhorancës se Kreu i Shtetit po përdor Presidencën për të bërë fushatë kundër qeverisë, Ilir Meta i përgjigjet me referendumin e shqiptarëve në 25 prill.

Meta: Nuk jam këtu për t’u marrë me hallet që ka mazhoranca, sepse nuk i zgjidh do të unë. Unë jam këtu për të kontribuar në këtë fushatë për dhurimin e gjakut për ata që vuajnë nga talasemia. Jam në këtë detyrë për të mbrojtur kushtetutën dhe pluralizmin politik, si dhe zgjedhjet e lira dhe të ndershme. Kush ka shqetësim nga angazhimi im që u kujtoj shqiptarëve që fuqia e tyre është vota e tyre, dhe askush nuk mund të ankohet për demokraci nëse nuk merr pjesë në zgjedhje dhe nuk e shpreh vullnetin e tij larg çdo forme intimidimi. Kjo është detyra ime. 25 prilli është një ditë e rëndësishme e afirmimit të lirisë.

Presidenti deklaroi edhe një herë se Qeveria dhe Parlamenti kanë dështuar në përballimin e situatës së pandemisë.