Basha: Angazhohem që porti i Durrësit do të dalë nga duart e krimit dhe do t'u kthehet shqiptarëve

Lideri i opozitës Lulzim Basha në një komunikim nga me përfaqësues të Agjencive Turistike foli edhe për portin e Durrësit.

Basha tha se me ardhjen në pushtet të PD-së, Porti i Durrësit do të dalë nga duart e krimit të organizuar dhe klaneve qeveritare të lidhura me të.

Kreu demokrat shtoi se nesër, porti i Durrësit do të jetë i Shqipërisë, do të jetë i Durrësit, jo i krimit të organizuar.

Basha: Për portin e Durrësit është folur shumë këto 8 vite dhe është investuar shumë pak. Ndërkohë ka pasur një sërë aferash të cilat kanë zhvendosur përfitimet financiare që vijnë nga porti në duart e klaneve brenda qeverisjes të lidhura me krimin e organizuar që vazhdon të mbetet një problem i madh në qytetin e Durrësit dhe jo vetëm, në gjithë Shqipërinë. Zero tolerancë për krimin e organizuar.

Porti i Durrësit do të dalë nga duart e krimit të organizuar dhe klaneve qeveritare të lidhura me të. Porti i Durrësit do t’i kthehet në radhë të parë Durrësit, në radhë të dytë Shqipërisë. Është porti i Shqipërisë, natyrisht është port i durrsakëve. Për këtë keni zotimin dhe angazhimin tim. Nesër, porti i Durrësit do të jetë i Shqipërisë, do të jetë i Durrësit. Jo i krimit të organizuar, as i klaneve qeveritare të lidhura me të. Ne kemi përzënë investitorë të huaj nga porti i Durrësit, por them ne, në fakt i ka përzënë ky. Investitorë perëndimorë për të bërë këto lloj-lloj manovrash e aferash që s’ka durrsak që nuk i di.