Rekord historik, deficiti 110 mld lekë, më pak të ardhura në buxhet

Reduktimi i të ardhurave dhe rritja e shpenzimeve për të përballuar krizën e pandemisë kanë tkurrur paratë në buxhetin e shtetit me 34.7 miliardë.

Të dhënat e publikuara nga Ministria e Financave tregojnë se të ardhurat totale arritën në 425.6 miliardë lekë nga 446.5 që ishin planifikuar.

Reduktimi më i ndjeshëm u shënua në arkëtime të Doganave dhe Tatimeve me një rënie prej 27 miliardë lekësh krahasuar me vitin 2019.

Për periudhën Janar-Dhjetor këto dy institucione kanë arkëtuar 372 miliardë lekë ose 10.8 miliardë më pak se plani vjetor.

Nga ana tjetër, shpenzimet arritën në 536.6 miliardë lekë me një rritje prej 9 % ose rreth 44.4 miliardë lekë më shumë se në vitin 2019.

Paralelisht, një trajektore rritëse është shënuar edhe në deficitin buxhetor i cili ka arritur në nivel historik.

Sipas statistikave gjatë vitit të kaluar ai arriti në 110.6 miliardë lekë me një rritje prej 79 miliardësh me vitin paraardhës.

Faktorë ndikues të një rritje të tillë ishin edhe paketat e qeverisë që u miratuan pas shpërthimit të pandemisë COVID-19.

Më shumë shpenzime në një kohë që të ardhurat janë në rënie kanë rritur automatikisht edhe borxhin publik, që arriti në 80% të PBB-së në fund të 2020-s.