Kyçen baret e restorantet, Jahaj: Kufizimi i orareve rëndon biznesin, Qeveria të dëmshpërblejë
Mbyllja e lokaleve nga ora 20:00 deri në orën 06:00 është një tjetër goditje për këto biznese thonë përfaqësues të bareve dhe restoranteve. Ata këkrojnë nga qeveria mbështetje financiare për periudhën e kufizimeve, ndërsa thonë se përgjegjësia për mosruajtjen e bizneseve është individuale.
Edhe në kufizimin e dytë të orarit baret dhe restorantet janë bizneset që priten të kenë më shumë probleme sa i përket të ardhurave.
Ndalimi i aktiviteteve pas orës 20:00 është parë si një vendim jo i drejtë nga shoqata që i përfaqëson.
Enri Jahaj thotë se nuk ka pasur asnjëherë një bashkëbisedim mes tyre dhe përfaqësuesve të Ministrisë së Shëndetësisë.
Kërkesa e tyre vijon të mbetet dëmshpërblim për këto kufizime.
"Kemi dërguar disa kërkesa që kanë rënë në vesh të shurdhër. Deri më sot ne si industri po hapemi dhe po mbyllemi sipas.. dhe po përflitemi që është më e keqja, sikur vetëm ne përhapim virusin dhe virusi ekziston vetëm në mabjentet tona."
Moszbatimi i masave anti-Covid në lokale nga përfaqësues të kësaj industrie justifikohet me përgjegjësinë individuale, por pa shfajësuar as menaxherët dhe pronarët.
"Kemi pasur kontrolle të shumta, nga qershori kur jemi hapur dhe deri sot nuk ka subjekt që të paktën të mos ketë kaluar 10 apo 20 kontrolle. Problemi është që asnjëri nga ne nuk merr masat e veta personale dhe pastaj fajin mundohemi t'ua hedhim bareve dhe restoranteve".
Në 24 orët e fundit janë vendosur gjithësej 1647 gjoba, qoftë për mosmbajtjen e maskës dhe shkeljet nga bizneset.