Fiskalizimi/ Drejtoresha e Tatimeve tregon ç'ndryshon për biznesin në vitin 2021
Nga data 1 janar 2021 ka nisur zyrtarisht fiskalizimi reforma e sistemit tatimor ku prezantohet për herë të parë fatura elektronike dhe sistemi i ri i monitorimit të qarkullimit.
E ftuar në “Ekopolitikë” në RTV, Drejtoresha e Përgjithshme e Tatimeve Delina Ibrahimaj ka shpjeguar këtë proces.
Sipas Ibrahimaj, fillimisht, procesi do të nisë për të gjitha transaksionet midis bizneseve dhe organeve publike shtetërore. Kjo nënkupton që çdo biznes që kryen apo merr pagesa për mallra, punë apo shërbime, nga një prej institucioneve nga lista prej 1538 entesh publike, do të marrë dhe lëshojë faturë elektronike.
Delina Ibrahimaj: Gjatë vitit të shkuar kanë qenë 6700 biznese që kanë lëshuar fatura ndaj enteve publike. Kryesisht janë të mëdhenj. Procesi i fiskalizimit ka të bëjë me fiskalizimin e faturave elektronike që deklarohen në Tatime dhe bashkia në këtë këndvështrim nuk futet.
Të gjitha sipërmarrjet janë pjesë e procesit të fiskalizimit. Deklarimi i faturës është një proces që bëhet pranë Drejtorisë së Tatimeve dhe jo pranë Tatim-Taksave të bashkive. Ato janë taksa të tjera që mblidhen nga zyrat e bashkive. Pra, faturimi është një proces i cili kontrollohet nga Tatimet. Pra, të mos i ngatërrojmë. Të gjithë tatimpaguesit duhet të jenë pjesë e këtij procesi.
Pati një rënditje tjetër me qëllim që kjo fazë e parë të shërbente edhe si një fazë pilotimi. Duke patur parasysh që tatimpaguesit e mëdhenj, që janë ata që lëshojnë fatura drejt enteve publike, janë tatimpagues më të edukuar, në konceptin e financave. Kanë ekspertë, kanë zyra financash brenda strukturave të tyre. Pra, janë më të përgatitur dhe numri i faturave që ata lëshojnë ndaj enteve publike është i reduktuar në krahasim me numrin e faturave që ata lëshojnë biznesit. Do të jetë kjo periudhë, nga data 1 janar deri më 1 korrik, e cila do të shërbejë si një periudhë testi. Nuk do të ketë shumë trafik faturash dhe do ti mësojë tatimpaguesit që të përdorin faturën elektronike".
Ndërkohë, nga 1 korriku 2021, procesi shtrihet me transaksionet midis bizneseve dhe më 1 shtator për të gjitha transaksionet me para në dorë, duke përfshirë në skemën e re praktikisht të gjitha sipërmarrjet në vend brenda 9 muajve të ardhshëm, teksa vetë procesi krijon kosto.
Tatimpaguesit duhet të kenë një lidhje interneti, të jenë të pajisur me Certifikatën Elektronike nga AKSHI dhe sigurisht të kenë software-in përkatës dhe kompjuterin apo telefonin që mundëson lëshimin e kësaj fature. Këtyre u shtohen edhe kostot për printerin fiskal, vulën digjitale dhe mirëmbajtjen e programit.
/a.r,OraNews