Koronavirusi rrit depozitat, 85 miliardë lekë të ngrira në llogaritë e individëve apo familjeve
Shifra më lartë e parave në bankë që prej vitit 2006
Prej marsit të vitit të shkuar, depozitat në banka janë rritur me shpejtësi. Madje niveli i kursimeve rezulton të jetë më i larti që prej vitit 2006. Ndërkaq Shqipëria mbetet në shtetin me pagat më të ulëta.
Kursimet e shqiptarëve gjatë vitit 2020 kanë arritur nivelin më të lartë që prej vitit 2006.
Sipas Bankës së Shqipërisë në llogaritë e individëve apo familjeve janë 1.11 trilionë lekëve, me një rritje prej rreth 8% krahasuar me vitin e mëparshëm.
Ajo që vihet re është tendenca për të kursyer pas shpërthimit të pandemisë.
Nga të dhënat e raportuara rezulton se që nga muaji mars kur nisi pandemia e deri në fund të vitit, stoku i kursimeve është rritur me 85 miliardë lekë.
Megjithatë, muaji prill i cili përkon dhe me mbylljen totale të ekonomisë, është i vetmi që ka shënuar rënie.
Tendenca e kursimeve gjatë vitit të pandemisë reflekton një pasiguri për të ardhmen tek qytetarët, ndikuar kjo edhe nga të ardhurat që ata mund të sigurojnë.
Sipas raportit më të fundit të Eurostat, Shqipëria është vendi me pagën më të ulët në rajon prej 210 eurosh.
Të dhënat i referohen tremujorit të dytë të vitit 2020 dhe pas vendit tonë renditet Mali i Zi me 331 euro dhe Serbia me 344 euro.
Të dhënat për Kosovën mungojnë ndërsa për Maqedoninë e Veriut nuk janë të disponueshme që nga tremujori i dytë i vitit 2018.