Aeroporti i Vlorës, fituesi i paracaktuar?!

Kriteret që duhet të plotësojë kompania që do të ndërtojë aeroportin e Vlorës kanë ndryshuar pak para rihapjes së tenderit. Faktin e kanë denoncuar dhe pjesëmarrësit në garë që flasin për një fitues të paracaktuar.

Ndërtimi i aeroportit të Vlorës, prej nisjes së tenderit ka hasur në shtyrjen të paktën dy herë, në një rast prej pademisë dhe në të dytin për shkak të kritereve.

Menjëherë pas kësaj duket se ka nisur dhe përplasja mes pjesëmarrësve. Ndonëse në procedurën e muajit nëntor mori pjesë vetëm një kompani, në garën afati i së cilës u mbyll këtë të hënë mësohet se ka disa aplikime.

Në një denoncim të bërë në Ora News, AL-DE Corporation Ltd, shpreh shqetësimin se kriteret janë ndryshuar me qëllim favorizimin e kompanive të tjera.

Por çfarë ka ndodhur me aeroportin e Vlorës, një investim i premtuar disa herë.

Sipas dokumentave, një prej pikave të kërkuara më parë ishte se kompania që do shpallej fituese duhet të ketë në menaxhim 1 aeroport me qarkullim më shumë se 10 milionë pasagjerë në 5 vitet e fundit. Tashmë ky kriter ka zbritur në 2 milionë.

Po ashtu dhe kushti që kompania duhet të ketë ndërtuar të paktën 2 terminale në dhjetë vitet e fundit, tashmë ka kaluar në 15 vite, po ashtu nga dy kulla vrojtimi kushti shkon në një të tillë në 15 vitet e fundit.

Në garë veç AL-DE Corporation Ltd, mësohet se është dhe Global Technical Mecanics shpk, i cili është fitues edhe i aeroportit të Kukësit.