Kostot e fiskalizimit, Ibrahimaj: 25 kompani në treg, tatimpaguesit mund të zgjedhin

Delina Ibrahimaj, drejtoresha e përgjithshme e Tatimeve, gjatë diskutimit në "Ekopolitikë" në RTV Ora, ka qetësuar tatimpaguesit sa i përket kostove të procesit të fiskalizimit.

Sipas saj, aktualisht janë 25 kompani në treg dhe në fund të korrikut do të jenë 50 ndaj dhe tatimpaguesit kanë mundësi të zgjedhin.

Delina Ibrahimaj: Kam dëgjuar çmime dhe kosto nga më të ndryshmet për fiskalizimin. Përpara se të dilnim, përpara se të kishte ofrues, përpara se të kishte ofertë në treg. Dhe qëndrimi që ne kemi patur, fakti që ne po hapim tregun, dhe ky është fakt, do të çojë në ulje të çmimit.

Ishim në një situatë ku ishin 4 kompani kasash, të cilat praktikisht caktonin çmimet dhe të gjithë tatimpaguesit duhet të ndiqnin ato çmime. Sot kemi 25 kompani të certifikuara. Janë duke testuar sistemin e fiskalizimit mbi 40 kompani të tjera dhe unë jam e bindur që deri në fund të korrikut numri i kompanive të certifikuara do të jenë 50.

Ajo që dua të them është që, sot, me 25 kompanitë e certifikuara, ka një varacion çmimesh nga kompania në kompani dhe ka një varacion produktesh të ofruara që i lejon tatimpaguesit të zgjedhë atë është më e përshtatshme për të.

Edhe koha që kemi në dispozicion i lejon tatimpaguesit që të testojë portalin, të testojë në hapësirat e testit që janë në faqen e Drejtorisë së Tatimeve, të marrë ofertën nga 25 kompanitë që janë aktualisht dhe 50 që do të jenë në të ardhmen dhe të zgjedhë atë software, i cili është më i përshtatshëm për biznesin që kryen. Kjo është shumë e rëndësishme sepse, nëse tatimpaguesit do ta lenë këtë për ditën e fundit këtë proces do të marrin atë që do gjejnë.