Programi ekonomik i PD, Buxhuku: Si do luftohen monopolet që i marrin frymën ekonomisë? PPP kanë bllokuar buxhetin

Dy partitë kryesore të opozitës, PD-LSI, kanë prezantuar programet e tyre ekonomike me të cilat do t'u kërkojnë  votën shqiptarëve në 25 prill për ti qeverisur.

Duke analizuar programin e PD dhe premtimin për rritjen e pagës minimale në 36 mijë lekë, administratori i  përgjithshëm i Konfindustrisë, Gjergj Buxhuku, thotë se kjo është e mundshme por duhet parë në raport me zhvillimin e  ekonomisë.

Buxhuku: Zotimi i PD për të bërë rrogën minimale 36 mijë lekë është i mundshëm por duhet parë në lidhje me zhvillimin ekonomik të vendit. Nuk mund të bësh premtime për rritje pagash minimale nëse nuk je bazuar në mundësitë dhe kapacitet që ka vendi për tu rritur. Rritja nga PS, 30 mijë lekëshi, është një fashë me detyrim. Nuk e dimë nëse janë kapacitetet e ekonomisë shqiptare për ta garantuar apo jo këtë pagë minimale. Ka sektorë të ekonomisë shqiptare, edhe në theklbin e  vet ekonomia e tregut pagën ja lë kërkesë-ofertës, kur ndërhyn shteti  edhe në një masë të tillë, është ndërhyrje brenda rregullave të ekonomisë së tregut, është një prishje. Kjo bëhet për qëllime zgjedhore dhe populiste, qoftë nga qeverisë që vendosi 30 mijë lekëshin, qoftë nga opozita që premton 36 mijë lekëshin nëse kjo nuk do të justifikohet nga rritja ekonomike. Nëse rritja ekonomike sigurohet kjo rritje pagash është e mundshme. Nëse ekonomia nuk do të rritet apo do të ketë rritje të ngadalshme këto kthehen pengesë dhe për vetë zhvillimin e ekonomisë. Çdo zotim për rritje të ardhurash duhet të arsyetohet sesi dhe ku mbështetja rritja përkatëse.

Një tjetër premtim i PD është taksa e sheshtë. Por Buxhuku për Rtv Ora thotë se vendi, më shumë se  për politika fiskale, ka nevojë për politika ekonomike.

Sipas Buxhukut, duhet të qartësohet se si do të garantohet konkurrenca e ndershme përballë monopoleve dhe oligopoleve që sipas tij po i marrin frymën ekonomisë.

Buxhuku: Në asnjë rast politikat fiskale si qëllim në vetëvete nuk mund të garantojnë rritje ekonomike të para të veçanta. Thelbi i asaj që duhet nuk janë politikat fiskale. Vendimtare janë politikat ekonomike që i kanë munguar vendit gjatë gjithë këtyre viteve. Shqipërisë i ka munguar dhe i mungon një politikë ekonomike e mirëfilltë. Sa konkurrente është ekonomia shqiptare, tregjet strategjike të ekonomisë. Të gjithë e kemi përmendur që këtu kemi monopole, nuk ka konkurrencë të drejtë që pasqyrohen pastaj në çmimet fundore siç janë karburantet, energjia elektrike, shërbimet të të gjitha llojeve. Duhet të dimë cili do të jetë raporti mes pronës publike dhe pronës private, si do të arrihet liberalizimi i ekonomisë, si do të mposhten monopolet, oligopolet dhe kartelet që sot bëjnë kërdinë në ekonominë shqiptare dhe nuk e lënë të marrë frymë. Të gjitha rëndojnë te qytetari.

Sipas Buxhukut, duhet të kemi politika shtetërore ku garantohet tregu i lirë, të mos ketë biznese që favorizohen dhe të tjerë që diskriminohen.

Buxhuku: Të kemi tregje të hapura për të gjithë, lëndë të para që shërbejnë si bazë për formimin e kostove të çfarëdo produkti, konkurrenciale. Politikat fiskale në radhë të parë duhet të jenë të moralshme dhe të arsyeshme. Duhet të jenë të bazuara mbi dy kategori të mëdha të biznesit, taksa të ulëta, të sheshta për biznese që punojnë në kushtet e tregjeve të lira. Për këto biznese që nuk përfitojnë privilegje shtetërore taksat duhet të jenë të sheshta dhe të ulëta.Për kategorinë e bizneseve që u takojnë tregjeve të priveligjuara si PPP dhe koncesione taska duhet të jetë progresive në rritje.  Shqipëria i ka të gjitha mundësitë për të qenë vend i pasur.

Sa i takon zotimit të PD për të anuluar PPP e dhëna nga qeveria Rama, Buxhuku ka një këshillë.

Buxhuku: Retorika për të thënë do të hiqen koncesionet ka efekt populist, luhet me emocionin social të masës së njerëzve, me të drejtë. Çështja është e ke apo jo të mundur. Nëse ka vullnet politik, që këto jo të hiqen por të rishikohen në themel, ke arritur dy premtime njëkohësisht. Së pari nuk do të veprosh si sot për të ardhmen dhe së dyti ti nuk i ke lajmëruar që do ti shkosh për kontroll me paramendim për t'ja hequr. Nëse ekziston vullneti që kjo nuk do të kthehet në gjoba ndaj atyre që i kanë në duar sot këto kontrata, është plotësisht e mundur që të rishikohen dhe pjesa më e madhe e tyre mund të zhbëhen pa penalizime. Rishikimi është domosdoshmëri, kanë bllokuar për shumë e shumë vite buxhetin e shtetit.

Intervista për Besmira Pelushaj, përgatiti Besjana Kuçana