Bujqësia në fokus/ Ministrja Ekonomi: Janë shtuar eksportet, dërgojmë produkte nëpër botë
Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Milva Ekonomi, deklaroi sot se prodhimet në bujqësi janë rritur me 20%, ndërsa eksportet janë shtuar me 145%.
Në konferencën e përjavshme për ekonominë, me fokus në sektorin bujqësor, Ekonomi deklaroi se tanimë Shqipëria është eksportuese në 75 vende të Bashkimit Evropian dhe vendeve të tjera të botës.
"Bujqësia është një nga sektorët më të rëndësishëm të ekonomisë. 18-20% të GDB dhe angazhon 35% të fuqisë punëtore. Janë rritur prodhimet bujqësore me 20.2%. Eksportet janë rritur me 145%. Produktet shqiptare shkojnë në 75 vende në BE dhe të botës. Sektori i peshkimit është rritur në 61%. Eksportet në këtë sektor rekord me 100 mln euro. Këto rritje erdhën si rezultat i investimeve të qeverisë në bujqësi", tha Ekonomi.