Aeroporti i Vlorës përfundon në KPP, tenderi mbetet pezull

Koncesioni për ndërtimin e Aeroportit të Vlorës ka përfunduar në dyert e Komisionit të Prokurimit Publik, pas ankesës së një prej kompanive pjesëmarrëse në garë.

Global Technical Mecanics Shpk, ka paraqitur ankesë 2 ditë para se të mbyllej gara.

Në dokumentacion bëhet e ditur se subjekti në fjalë kundërshton disa prej kritereve të vendosura nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, për plotësim nga kompanitë e interesuara për realizmin e kësaj vepre aeroportuale, si dhe informacion të shtuar mbi nivelin e aeroportit të pranueshëm.

Në vendimin e tij KPP-ja ka rrëzuar ankesën për kriteret duke argumentuar se ato i shërbejnë autoritetit kontraktor për të kuptuar aftësitë e operatorit që do realizojë projektin. Nga ana tjetër Komisioni ka pranuar kërkesën për kategorinë e aeroportit, duke detyruar autoritetin kontraktor t’i sqarojë dhe përcaktojë mirë kërkesat në lidhje me këtë pikë.

Në Agjencinë e Prokurimeve Publike kjo procedurë rezulton ende e pezulluar dhe nuk dihen operatorët ekonomikë pjesëmarrës, ndërsa fituesi pritet të shpallet në ditët në vijim.

Gara për dhënien me koncesion të Aeroportit të Vlorës, u hap në dhjetor të vitit 2019, por si pasojë e pandemisë fituesi nuk u shpall në pranverë të 2020-s siç pritej pasi gara u pezullua për tu rihapur në një moment të dytë, kur aktiviteti i kompanive ajrore ishte përmirësuar.

Aeroporti parashikohet të jepet me formulën partneritet publik privat me një kohëzgjatje prej 35 vitesh ndërsa vlera e projektit është parashikuar të arrij në 12.9 miliardë lekë.