Kosto e jetesës do të jetë edhe më e shtrenjtë këtë vit, ja sa kushton të jetosh në Tiranë

Kosto e jetesës në Shqipëri gjatë këtij viti parashikohet të jetë rreth 4% më e lartë se viti 2020.

Agjencia Numbeo në publikimin më të fundit për të dhënat e çmimeve kudo në botë, e rendit vendin tonë të 88-in nga 138 shtetet e listuara.

Në raport me vitin që lamë pas është shënuar një përkeqësim prej 6 vendesh në renditje.

Numbeo e rendit Tiranën të parën në listë për koston e lartë të jetesës me rreth 18% më shumë se mesatarja kombëtare.

Vetëm për një person, shpenzimet mujore përllogariten në 51 mijë e 700 lekë, pa përfshirë këtu qiranë.

Me rritjen e numrit të anëtarëve, vlera vjen sigurisht në rritje dhe për një familje me katër persona kostoja mujore arrin në 182 mijë lekë.

Sindikatat dhe shoqëria civile shpesh kanë ngritur shqetësimin për të ardhurat e ulëta dhe stanjacionin në rritjen e pagave.

Përsa i përket vendeve të Rajonit, Mali i Zi dhe Shqipëria u renditën si vendet me koston më të lartë të jetesës.

Serbia, Bosnja dhe Maqedonia do të kenë kosto më të lirë jetese edhe pse kanë të ardhura më të larta nga pagat.