AKSHI, 3.4 mln euro për kontrollin e tenderave
Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit ka menduar të shpenzojë rreth 3.4 milionë euro për ndjekjen e kontratave dhe menaxhimin e ankesave mbi to.
Sipas të dhënave në Agjencinë e Prokurimeve Publike për këtë qëllim janë hapur dy procedura.
Në projektin e parë parashikohet ngritja e një sistemi elektronik për menaxhimin e ankesave që përfundojnë në Komisionin e Prokurimit Publik.
Qëllimi i këtij investimi ndër të tjera është rritja e eficencës, shmangia e radhëve të pritjes dhe thjeshtimi i procedurave.
Fondi limit i vënë në dispozicion kap vlerën e 175.5 milionë lekëve por nuk përjashtohen as risqet.
AKSHI e sheh si një mundësi rreziku në këtë investim vonesën në zbatimin e projektit si pasojë e mos koordinimit të punës mes pjesëtarëve të atyre që do të përpunojnë të dhënat dhe atyre që do i japin.
Por sheh me shqetësim edhe mungesën e eksperiencës së stafit të kompanisë që do të fitojë të drejtën për ta realizuar.
Edhe në tenderin e dytë AKSHI parashikon ngritjen e një sistemi, por këtë herë për ndjekjen e kontratave të APP-së dhe autoriteteve që kanë hapur tenderat.
Në këtë rast vlera e parashikuar arrin në rreth 194 milionë lekë.
Përmes këtij fondi synohet të bëhet e mundur ndjekja dhe menaxhimi i zbatimit të kontratave gjatë gjithë kohëzgjatjes së tyre.
Afati për realizimin do të jetë 12 mujor, që nga nënshkrimi i kontratës me subjektin fitues.