Shqipëria e pasigurt për biznes, prezantohen gjetjet e studimit me sipërmarrjet gjermane
Sipërmarrjet e huaja e shikojnë Shqipërinë si një terren të pasigurt për të bërë biznes.
Gjatë një aktiviteti virtual të sipërmarrjeve anëtare të shoqërisë së industrisë dhe tregtisë gjermane në Shqipëri, ambasadori Peter Zingraf, theksoi se klima e trazuar ekonimike në vend nuk vjen vetëm si pasojë e pandemisë.
"Sipërmarrje gjermane dhe të huaja vazhdojnë të shprehin tepër shpesh skepticizmin e tyre lidhur me mjedisin e biznesit në Shqipëri. Ata pyesin, nëse do të mund të gjejnë këtu mjaftueshëm siguri ligjore dhe transparencë. Dhe unë jam dakord".
Diplkomati gjerman u shpreh se pavarësisht përpjekjeve të deritanshme ekziston nevoja për reforma të tjera.
"Megjithë përpjekjet e shumta, ekziston nevoja që të ndërmerren hapa të mëtejshëm në mënyrë që klima e investimeve të përmirësohet dhe zhvillimi ekonomik i vendit të ecë përpara. Vendimtare këtu janë siguria ligjore dhe transparenca. Vijimi i reformës në drejtësi dhe asaj në administratë vazhdojnë të jenë me rëndësi thelbësore për demokracinë, ekonominë dhe integrimin evropian".
Ambasadori thekson se Gjermania vazhdon të jetë në mbështetje të Shqipërisë dhe në kohë krizash.