Qytetarët kurohen në shtëpi, Rama: Për fat të keq po bëhet biznes, të merret receta e mjekut të familjes

Kryeministri Edi Rama ka thënë se pandemia ka rritur shanset që të bëhet biznes me ilaçet, jo vetëm në Shqipëri.

Rama ka bërë edhe njëherë thirrje që qytetarët të ndjekin sugjerimet e mjekut të familjes apo autoriteteve shëndetësore.

Rama: Jo vetëm këtu, njerëzit priren të marrin shumë ilaçe dhe megjithëse kjo është diçka që kundërshtohet nga autoritetet shëndetësore, nga ekspertët, mesa duket frika, kujdesi, ankthi, nevoja psikologjike i shtyn njerëzit që të marrin shumë ilaçe. Ndërkohë që ajo që përsëritet është se ky virus duhet trajtuar dhe disa kura bazë pa u turrur për të mbingarkuar veten me ilaçe për sa kohë që gjendja është jokritike.

Aspekti tjetër për fat të keq është që në këtë histori bëhet biznes, jo vetëm në Shqipëri por kudo nga farmacitë dhe iu jepen njerëzve ilaçe pafund. Ne e kemi thënë që gjëja më e udhës është që të merret receta e mjekut te familjes për sa kohë që gjendja nuk është kritike. Kur gjendja është kritike çështja i kalon autoriteteve shëndetësore që vendosin dhe të çojnë në spital.

Rama është ndalur edhe në rastin e Tires, sanitarja që kërkonte para nga familjarët e të infektuarve për shërbim spitalor. Kryeministri ka kërkuar ndihmën e mediave për të ekspozuar këto raste që sipas tij duhet të dënohen.

Rama: Patjetër që ky është një problem kur ndodh kështu, që duhet adresuar dhe duhet ta zgjidhim së bashku. Secili duke bërë pjesën e vet të punës. Nuk më takon mua të bëj punën e medias. Ka pasur arsye për t’u ndjerë keq kur përmes mediave janë shfaqur raste që nuk i bëjnë nder sistemit tonë shëndetësor dhe këtu kulmi ishte rasti i sanitares që ishte sjellë si një mostër e vërtetë duke mashtruar një familje të tërë për të përfituar para.

Duke i nxjerrë në pah këto raste dhe duke dhënë një kontribut të madh për t’i adresuar, qoftë edhe kur rasti është i natyrës kriminale apo i natyrës problematike për administrimin e rregullave të shërbimit shëndetësor, duhet të kemi parasysh që ndërkohë janë me mijëra njerëz që marrin shërbimin e duhur.

Ndërkohë sistemi funksionon më së miri për shumicën dërrmuese të rasteve, përderisa shifrat dhe faktet e thonë këtë, që do të thotë që është përgjegjësi e madhe dhe patjetër që është kryesore për ju të gjithë në radhë të parë, kur në kushtet që ne nuk kemi akoma një sistem drejtësie që të bëjë gjënë e duhur në të gjitha aspektet të nxirrni në pah rastet që bartësit e fenomeneve të ndëshkohen.