Vasili në "Ditë e Re": Jemi shumë larg imunitetit të tufës, pandemia si lumë i dalë nga shtrati
I ftuar në emisionin "Ditë e Re" në RTV Ora ishte ish ministri i Shëndetësisë dhe nënkryetari i LSI Petrit Vasili.
Vasili foli rreth situatës në spitale trajtimin e rasteve me Covid dhe numrin e lartë të infektimit gjatë këtyre ditëve në vendin tonë. Vasili vuri theksin tek keqmenaxhimi i situatës duke përmendur vonesat e tamponëve dhe mungesat e mjeteve spitalore.
"Ka raste që tamponi vonohet me ditë dhe me javë, është fakt. Mungesa e mjeteve dhe e logjistikës, gjëja e parë që duhet të ndodhte ishte të hapeshin 4-5 laboratorë publike të mëdha me shpërndarje gjeografike veriu, jugu, juglindja e Shqipërisë. Nuk mund ta përballojë më një laborator.”
Ndër të tjera Vasili tha se i vjen zor të flasë për vaksinën që ka ardhur në Shqipëri.
“Më vjen shumë zor të flas për vaksinën që ka hyrë në Shqipëri. Nuk meritojnë fare të flas për këtë punë. Janë mijëra raste në ditë, janë 80 vdekje në javë. Ka rritje të numrit të vdekjeve dhe infektimeve.
Është idiotllëk të flasësh për këto gjëra. Jemi shumë larg për imunitetet e tufës asnjë strategji nuk është bazuar mbi imunitetin e tufës. Është bazuar mbi testim-gjurmim-trajtim. Këto janë tre këmbë për t’u mbështetur dhe për të përballuar pandeminë. Kur bëhet fjalë për mijëra raste që kanë nevojë për ndihmë mjekësore, janë thjesht dy spitale të mbingarkuara në gjithë territorin. Këto dy spitale mund te trajtonin vetëm rastet më të rënda.
Mund të përdoreshin mjetet respiratorët monitor mbajtëset e serumeve mund të vendoseshin në spitalet e rretheve për të trajtuar rastet me Covid. Sipas një protokolli do kishim një strukturë më të rregullt dhe qytetarët do merrnin ndihmën më afër dhe do kishin ato ditët e çmuara, dhe lehtësonte gjurmimin dhe infektimin e familjarëve. Gjithë Shqipëria është futur te 127 si një pykë, pandemia është si një lumë i dalë nga shtrati", ka thënë Vasili.