Rritje pensionesh e asistence, pagë mujore për të porsalindurit. Premtimet e Bashës pas 25 prillit
Partia Demokratike premton rritjen me 5 përqind të pensioneve për 650 mijë pensionistë çdo vit. Në prezantimin e programit për mirëqënien sociale, Basha tha se në 4 vite të mandatit qeveria demokrate do të subvencionojë interesat e kredive për shtëpi për 20 mijë çifte të reja.
5 përqind rritje pensionesh çdo vit dhe subvencionim i kredive bankare për familjet e reja janë dy shtyllat kryesore të programit të PD-së për mirëqënien sociale.
Duke akuzuar qeverinë socialiste se la pa përkrahje pensionistët, kryetari demokrat Lulzim Basha prezantoi bashkë me ekipin e tij një pjesë tjetër të planit, me të cilin kërkon votat e shqiptarëve më 25 prill.
Basha: Unë angazhohem për rritjen e pensioneve për 650 000 pensionistët shqiptarë, dy herë më shumë se norma e inflacionit dhe të paktën 5% në vit! Ne nuk do t’i braktisim kurrë pensionistët tanë, që i dhanë kaq shumë vendit tonë të mrekullueshëm dhe familjeve tona.
Angazhohem të dyfishojmë menjëherë asistencën ekonomike për të gjitha familjet në nevojë. Nën qeverisjen tonë, askush nuk do të braktiset, shpërfillet dhe nëpërkëmbet.
Angazhohem që njerëzit me aftësi të kufizuara do të jenë pjesë reale e vendimmarrjes të qeverisjes tonë dhe jo thjesht përfitues pasivë apo viktima të indiferencës, përbuzjes apo korrupsionit qeveritar.
Në kushtet kur vendin po e braktisin të rinjtë, Basha ka një ofertë për familjet e reja.
Basha: Angazhohem për subvencionim të plotë të interesave për kredi për shtëpi për 20 000 familje dhe çifte të reja. Për të ardhmen tonë, për ata që kemi detyrë t’ju sigurojmë kushtet më të mira dhe mundësinë për sukses në jetë. Po ua them fare qartë, ne do të paguajmë 100%të interesave bankare, për çdo kredi që një çift i ri apo një familje e re merr për të blerë një banesë. 5000 të tilla në vit gjatë katër viteve të para, 20 000 çifte dhe familje të reja do të përfitojnë subvencionimin 100% të interesave të kredive që do të marrin për banesën e tyre.
Çdo familje do të përfitojë për çdo të porsalindur një pagesë mujor prej 3 mijë lekësh të reja, për 5 vitet e para të jetës.
Kreu demokrat shprehet se Shqipëria po pret ndryshimin më 25 prill, ndaj këto sipas tij janë zgjedhjet më jetike që ka pasur ndonjëherë ky vend.
Premtimet e PD
-Rritje e pensioneve për 650 000 pensionistët shqiptarë, dy herë më shumë se norma e inflacionit dhe të paktën 5% në vit!
-Dyfishim i asistencës ekonomike për të gjitha familjet në nevojë.
-Njerëzit me aftësi të kufizuara do të jenë pjesë reale e vendimmarrjes.
-Subvencionim i plotë i interesave për kredi për shtëpi për 20 000 familje dhe çifte të reja.
-Pagesë 100% të interesave bankare, për çdo kredi që një çift i ri apo një familje e re merr për të blerë një banesë.
-Çdo familje do të përfitojë për çdo të porsalindur një pagesë mujor prej 3 mijë lekësh të reja, për 5 vitet e para të jetës.