Rrebeshe shiu dhe rrezik për përmbytje, bllokohet lundrimi në Vlorë e Durrës

Reshjet e shiut kanë përfshirë të gjithë vendin, duke kthyer alarmin për përmbytje. Sipas parashikimeve të bëra nga IGJEUM, situata do të jetë e njëjtë deri më 12 shkurt, gjë që rrezikon shtimin e sipërfaqeve nën ujë në zonën e Nënshkodës. Ndërsa në Durrës e Vlorë, moti i keq ka pezulluar lundrimin.

Moti i keq ka përfshirë të gjithë vendin që prej orëve të mbrëmjes së të dielës.

Për shkak të stuhive trageti që duhej të nisej mtë dielën në orën 23:00 nga Durrësi për në Bari të Italisë ka mundur të lëvizë vetëm mëngjesin e së hënës, ndërkohë reshjet e shiut kanë vijuar shoqëruar nga era e fortë.

Situatë e njëjtë paraqitet edhe në Vlorë, ku reshjet e shiut dhe të breshërit kanë pezulluar lundrimin për të gjitha anijet e peshkimit dhe mjetet e vogla të lundrimit.

Probleme ka në furnizimin me energji elektrike. E gjithë zona e Orikumit me fshatrat përreth ka mbetur pa energji që prej të dielës.

Situatë më e rënduar paraqitet në Nënshkodër, aty ku këtë të hënë janë ende nën ujë 3655 hektarë sipërfaqe, ndërsa fshatrat Obot, Shirq, Darrgjat janë tërësisht të izoluara.

IGJEUM ka bërë një parashikim të zymtë për ditët në vijim deri në fund të shkurtit, ku pas përmbytjeve që do të penalizojnë më shumë Shkodrën, do të nisin ngricat e bora dhe temperaturat do të ulen ndjeshëm.