Rritja e kurbës pandemike, Manastirliu: Janë infektuar moshat e reja, raportohen riinfektime
Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu gjatë konferencës për mediat ka bërë me dije se është rritur ndjeshëm raporti i rasteve të reja.
Sipas Manastirliut është vënë re që ka pasur edhe të rinj të infektuar, si dhe shton se të rriskuar kanë qenë edhe rastet e riinfektimeve.
Manastirliu: Kemi raste të infektimeve te moshat e reja, kemi raste të riinfektimeve një tjetër arsye që i çon ekspertët në dyshimet e qarkullimit të varianteve të reja dhe vlerësohet se kemi të bëjmë me këto dyshime të arsyeshme. Jemi në pritje të Laboratorit të Referencës në Berlin për të verifikuar nëse këto dyshime tonat janë të vërteta. Rritja ka dhe shkaqe të tjera që lidhen me moszbatimin e masën, me neglizhencën e respektimit, me grumbullimet familjare gjatë festave dhe fluksin e shtuar të popullatës në disa zona turistike.
Sipas analizës së ISHP dhe nga Komiteti Teknik i Ekspertëve, niveli më i lartë këtë javë është shënuar dje me mbi 1100 raste të reja, e vlerësuar me mesataren javore të mbi 1030 rasteve. Inicidenca dyjavore është 450 raste të reja për 100 mijë banorë në krahasim me 14 ditët e mëparshme. Mesatarja e rasteve të reja ditore është rritur dhe vihet re një tendencë në rritje të vdekjeve.