Shkodër: Konfirmohen dy rastet e para të ri-infektimit me covid-19

Në Shkodër janë konfirmuar dy rastet e para të rinfektimit me koronavirus, ndërsa shifrat e të prekurve kanë njohur rritje të ndjeshme gjatë muajit Shkurt.

Sipas drejtuesve të Shëndetit Publik bëhet me dije se kemi të bëjmë me 2 qytetarë që e kishin kaluar virusin 6 muaj më parë dhe janë zbuluar sërish bartës të tij pasi kanë kryer tamponin.

"Rasti është konfirmuar para gjashtë muajve ndërkohë sot është konfirmuar rinfektimi."

Ato kanë shfaqur shenja të sëmundjes dhe prandaj kanë kërkuar ndihmën e epidemiologëve, ku pas testit është konstatuar ky fakt. Pacientet në fjalë po mbahen nën kontroll dhe aktualisht nuk paraqesin komplikacione të rënda.

Nuk dihet ku mund ta kenë marrë virusin, por dyshimet janë nga kontakti me persona të tjerë të infektuar. Rastet e konfirmuara të rinfektimit kanë qenë të rralla gjatë pandemisë botërore.

Ndërkohë situata mbetet shqetësuese në të gjithë vendin. Në 24 orët e fundit nga Spitali rajonal janë trajtuar 82 raste urgjente prej te cilave 20 raste te dyshuar meCovid19.

Shkodra pati 13 raste të reja të dielën, 11 Bashkia Shkodër dhe 2 Vau Dejës. Prej nisjes së pandemisë, në Bashkinë Shkodër janë zbuluar 3434 persona të infektuar, ndërsa në Bashkinë Vau Dejës 210.

Aktualisht numri i personave pozitiv aktiv janë: Bashkia Shkodër 475, Bashkia Vau Dejës 54. Numri i të shëruarve Bashkia Shkodër 2864, Bashkia Vau Dejës 157,ndërsa vdekje, Bashkia Shkodër 75 me Covid19 dhe 14 me pacientë me Covid por me diagnozë tjetër dhe Bashkia Vau Dejës 5.