Fushata dhe takime me dhjetëra njerëz, Rama “i tërheq veshin” politikanëve: E papërgjegjshme! Situata rrezikon përkeqësim
Kryeministri Edi Rama në një konferencë për mediat ka dënuar shkeljet e rregullave të pandemisë kohët e fundit.
Rama ka dënuar gjithashtu edhe mbledhjet partiake pa masa mbrojtëse, teksa ka shtuar se situata rrezikon të përkeqësohet.
Rama: Ky është një moment për përgjegjësi maksimale nga të gjithë, sepse ajo që po konsiderohet kudo si një tjetër valë infektimesh dhe që u vu re nga numrat që u rritën në mënyrë dramatike në Europë, po reflektohet edhe këtu. Masat që janë në fuqi janë masa që funksionojnë, por duhen zbatuar ashtu siç duhet. Nga ana tjetër qasja e autoriteteve të shëndetësisë dhe në tërësi e autoriteteve përgjegjëse për zbatimin e masave ka qenë më shumë sensibilizuese dhe mirëkuptuese, se sa represive.
Në javët e fundit vihet re një rënie e angazhimit të qytetarëve, duke filluar nga vendosja e maskës kudo jashtë shtëpisë, me zbatimin e rregullave të vendosura për njësitë tregtare dhe me ekseset e patolerueshme në lokale.
Qoftë edhe nga politikanët, këtu për ta do ta bëj të qartë që nuk kam parasysh vetëm ata që i përkasin partive të tjera, por edhe ata që janë pjesë e partisë që unë drejtoj të cilët shkelin rregullat, duke u mbledhur nëpër salla dhe dhoma me më shumë persona se sa është përcaktuar nga Komiteti.
Kjo është e papërgjegjshme dhe e pajustifikueshme, sepse të gjitha bashkë bëjnë në tërësi atë që nuk duket sot si një front i bashkuar përgjegjësish qytetare, individuale në luftën kundër Covidit.
Në këtë moment ministria do të japë detaje. Ne nuk jemi të shqetësuar për stabilitetin e sistemit shëndetësor. Nëse nuk reagojmë tani, nëse nuk reagojmë me përgjegjshmëri atëherë situate rrezikon seriozisht të përkeqësohet, numri i infektimeve rrezikon të rritet, barra mbi sistemin shëndetësor rrezikon të shtohet në kushtet kur mund të shmanget.