Ekstradohet nga Shqipëria në Itali Mateo Gjepali, një nga bosat kryesorë të narkotrafikut në veri të Italisë

Është ekstraduar nga Shqipëria në Itali shqiptari Mateo Gjepali i datëlindjes 1995, i konsideruar një nga bosat kryesorë të narkotrafikut në veri të Italisë.

Mateo Gjepali ishte shpallur në kërkim pas hetimeve dhe ekzekutimit të operacionit të koduar "Pike", i cili çoi në shkatërrimin e një grupi kriminal trafikantësh shqiptarë e në sekuestrimin e mbi 40 kg heroinë e të disa armëve, në një apartament në Ravenna në shkurt të 2018.

Pas një investigimi të komplikuar Mateo Gjepali ishte lokalizuar në Shqipëri, e u arrestua falë bashkëpunimit mes autoriteteve policore të dy shteteve.

Me urdhër të Prokurorisë së Ravenës më 15 shkurt 2018 në Rimini u arrestua kushëriri i Mateo Gjepalit,  Gazmend Gjepali i datëlindjes 1993 i cili u kap në flagrancë ndërsa trafikonte 2 kg kokainë e 1 kg hashash. 

Është ende i shpallur në kërkim trafikanti i tretë shqiptar, anëtar i këtij grupi, Armand Kapidani i datëlindjes 1988. 

Operacioni "Pike" i antidrogës italiane çoi në sekuestrimin e në një apartament në periferi të Ravenas të rreth 42 kg heroinë, 80 kg lëndë përzierëse droge, katër pistoleta , dy prej të cilave gjysëm automatike si dhe të instrumenteve për përgatitjen e konfeksionimin e drogës.

Sipas antidrogës italiane, droga ishte e një cilësie mjaft të pastër që i lejonte narkotrafikantëve të katërfishonin fitimet e tyre e që kapte vlerën e 4 milionë euro.