Ambjentalisti: Kemi humbur 30% të fondit pyjor kombëtar, pas motosharrës pishat po i dëmton dhe procesionarja

Sëmundja e procesionares ka dëmtuar ndër vite pyjet e pishës. Alarmi më i fundit i shfaqjes së insektit u dha në pyjet e Krujës në fund të vitit të lamë pas.

Abdulla Diku, ambjentalist dhe inxhinier pyjesh, thotë se në këtë drejtim një dorë të fortë ka dhënë edhe ndryshimet klimatike.

Diku: Është një nga dëmtuesit më të rrezikshëm të pyjeve me pisha që kemi. Për shkak të prerjes dhe zjarreve që kemi patur këto 30 vitet e fundit, pyjet me pisha janë kufizuar shumë, i keni parë malet e zhveshura. Njerëzit kanë qenë të interesuar veçanërisht për pyjet e pishës për ti prerë dhe shitur. Pas motosharrës i është shpifur ky insekti që për hir të vërtetës janë krijuar kushte shumë të favorshme ekologjike për këtë lloj dëmtuesi. Për procesionaren lufta bilogjike është më efektivja, më pak e kushtueshme dhe më ekologjike. Por bashkitë nuk kanë fonde për të paguar stafet për të menaxhuar pyjet dhe nuk bëhet fjalë për të investuar në pyje.Në 30 vitet e fundit Shqipëria ka humbur 30% të fondit pyjor kombëtar. Sot kemi tre herë më pak pyje sesa kishim në 1923 kur është bërë ligji i parë i pyjeve.

Inxhinieri i pyjeve së fundmi është pjesë e një projekti të vogël për ripyllëzimin e malit të Dajtit pas dëmeve të pariparueshme që kanë shkaktuar zjarret vitet e fundit, në shumicën e rasteve të qëllimshme.

Diku: Ne po demonstrojmë mbjelljen me fara ahu në Parkun Kombëtar të Dajtit, i cili është djegur nga zjarret që kanë rënë këto 10 vitet e fundit. Shqipëria është vendi që ka koston më të lartë të pyllëzimit në Europë sepse prodhimni i fidanëve bëhet nga fidanishte private që i vënë çmimin sipas dëshirës së tyre. Nuk kemi fidanishte shtetërore e cila tu ofrojë fidanë me koston e prodhimit subjekteve që pyllëzojnë. Mbjellja me farë është ajo që bën vetë natyra. Kemi marrë farë nga masive të tjera prej ahu dhe po i hedhim aty, në mënyrë që të ulet kostoja e pyllëzimit dhe të rritet sipërfaqja pyjore. Shërbimi pyjor ka vite që po degradohet, pothuajse është inekzistent. Heqja e ekspertëve të fushës nga puna dhe mbushja e administratës me militantë, me njerëz të paaftë, të korruptuar, pa dëshirë ka bërë që të jemi në këtë ditë.

Intervistoi Beti Njuma, përgatiti Besjana Kuçana