Anëtari i KAS: Kush kandidon për deputet në radhët e administratës, pezullim nga detyra gjatë fushatës

Anëtari i KAS, Ledio Braho në një intervistë për Ora News ka njoftuar se në këtë fushatë zgjedhore është ndaluar përdorimi i administratës publike.

Sipas tij punonjësit e administratës të cilët nuk kanë statusin e nëpunësit cvil, por që janë kandidatë për deputetë do të pezullohen nga detyra, ndërkohë që shton se nuk do të lejohet shpërndarja e legalizimeve dhe hipotekave.

Braho: Risi kësaj here është edhe pjesa e mospërdorimit të burimeve publike gjatë fushatës elektorale. E thënë ndryshe, administrata publike do të jetë tërësisht jashtë pjesës së fushatës zgjedhore. Të gjithë ata punonjës që janë pjesë e administratës publike, por jo me statusin e nëpunësit civil në rast se janë kandidatë do të duhet të pezullohen nga detyra në periudhën e fushatës. Ndërkohë që ata punonjës që kanë statusin e nëpunësit civil e kanë të ndaluar që të shprehin publikisht bindjet politike. Pra nuk mund të përdoren resurset e administratës shtetërore.  Do ketë ndalim të shpërndarjes së lejeve të legalizimit, hipotekave, certifikatat e punësimit që nuk do të lejohen gjatë fushatës elektorale.

Intervista në studio për gazetaren Matilda Mcini, përgatiti për online Tea Islamaj.