Rama i promovoi si sukses, ambjentalisti: Ndërtimet në Vermosh nuk kanë asnjë lidhje me kullat që tërheqin vizitorët

Abdulla Diku, ambjentalist dhe inxhinier pyjesh, ngre shqetësimin për ndërtimet kaotike dhe pa asnjë plan në Alpet e vendit.

I ftuar në Rtv Ora ai solli si shembuj bujtinat e ndërtuara në Vermosh por edhe superhotelin në zemër të Parkut të Valbonës.

Diku: Në Alpe po ndërtohet në mënyrë kaotike sipas shijeve personale dhe jo në mënyrë të organizuar. Pak kohë më parë ishin bërë disa ndërtime në Vermosh që kryeministri i kishte publikuar si gjë të rëndësishme por nuk kanë asnjë lidhje me arkitekturën e zonës atje, kullat tradicionale për të cilat vizitorët shkojnë atje.Ndërtesat mund të jenë funksionale por bëjnë kontrast të madh me peizazhin dhe kullat përreth. Valbona pothuajse është shkatërruar, kemi HEC-in dhe një supërhotel në zemër të Parkut.

Me shqetësim ai sheh edhe ndërtimin masiv të HEC-ve. Diku thotë se i kemi shkatërruar lumenjtë tanë.

Diku: Dhënia e koncesioneve për lumenjtë e vegjël nuk po ndalet. Lumi Fan që nga Rrësheni ku bashkohet me Matin pothuajse nuk ka ujë fare gjatë verës se i gjithi është në tuba. Askush nuk i monitoron prurjet ekologjike sepse duhet një superarmatë se janë mbi 50 hidrocentrale. E kemi humbur betejën me Hidrocentralet. Shqipëria është ndikuar më shumë negativisht. Jemi vendi që kemi më shumë diell nga vendet që na rrethojnë dhe i kemi shkatërruar lumenjtë tanë. Krenaria e Shqipërisë janë kthyer në përrenj, janë lumenj të vdekur.

Intervistoi Beti Njuma, përgatiti Besjana Kuçana