Kërcënohet me jetë ish shefi i Anti-drogës në Elbasan

Është kërcënuar me jetë Sokol Novaku, ish-shefi i sektorit të lëndëve narkotike në Drejtorinë Vendore të Policisë së Elbasanit.

Rreth 10 ditë më parë ai u transferua në Gramsh në postin e Shefit të Krimeve.

Burime për Ora News bëjnë me dije se, kërcënimet kanë ardhur përmes sms-ve në celularin privat të Novakut.

Të njëjtat burime theksojnë se, dy ditë më parë ai ka bërë edhe një kallëzim në Prokurori.

Lidhur me kërcënimet e marra, në Drejtorinë Vendore të Policisë së Elbasanit, në bashkëpunim me Prokurorinë e rrethit, është ngritur një grup i posaçëm hetimor.

Novaku qëndroi për 4 muaj si shefi i sektorit të lëndëve narkotike në Drejtorinë e Policisë së Elbasanit, ndërsa më herët ka mbajtur postet e Shefit të Krimeve në Kavajë dhe shef i komisariatit nr.2 në Tiranë.

Sokol Novaku