Ju flet Moska: A do ta bëjë Rama Nanon President dhe pse.(Kompleksi i Edmond Dantesit)

Intervista e fundit televizive e ish-kryeministrit Fatos Nano që shkaktoi jo pa zhurmë me qëndrimet e tij për kryeministrin Rama dhe sulmet ndaj presidentit Meta dhe ish-kryeministrit Berisha ishte në fokus të analizës "Ju flet Moska" në Rtv Ora.

Myftaraj: Intervista e mbrëmshme e Fatos Nanos në emisionin Opinion të Blendi Fevziut ishte shumë befasuese sepse Nano praktikisht dhe faktikisht përmbysi gjithçka që kishte thënë pas vitit 2005 kur dha dorëheqjen si kryetar partie pasi humbi zgjedhjet e atij viti dhe u largua nga politika aktive me këtë.

Por të mos harrojmë se në janar 1999 kur Fatos Nano dha dorëheqjen për herë të parë si kryetar i PS dhe u ritkhye pastaj në shtator në Kongres ai bëri një deklaratë se po jep dorëheqjen nga kryetari i partisë por jo nga politika nga e cila nuk do të largohem tha, sa të kem frymë.

Ai përmbysi gjithçka kishte thënë pas vitit 2005, ai bëri vlerësime të mëdha për Edi Ramën, të jashtëzakonshme, duke përbysur të gjitha ato çfarë kishte thënë. Fatos Nano nga formimi është ekonomist, politikën, kur nuk është aktiv si tani, e shikon si tregti të fjalës. Fatos Nano nuk e shet fjalën politike lirë, e shet shtrenjtë. Vlerësimet që bëri për Edi Ramën dhe ato qëndrime që mbajti siç i pëlqejnë Edi Ramës, sulmet kundër presidentit Ilir Meta, që e quajti bartës të shtatë mëkateve kapitale, mëkatet e mëdha biblike.

Ky që bën vlerësime për tjetrin si bartës i 7 mëkateve biblike i bie të jetë bartës i 7 virtyteve biblike, çfarë nuk është rasti. Fatos Nano e sulmoi Sali Berishën si kurrë ndonjëherë, tha dhe një gjë të fundit që i kishte mbetur pa thënë dhe që nuk e kishte thënë as në kulmin e konfliktit të tyre në vitin 1998, tha që Sali Berisha më ka vrarë nënën sepse nëna e zotit Nano vdiq në kohën që Nano ishte në burg dhe Berisha ishte President dhe Nano tha se vdiq si pasojë e burgosjes së tij. Mirë që nuk tha se Sali Berisha ka vrarë dhe babën e Edi Ramës, Kristaqin.

Shikoni videon e emisionit për analizën e plotë.