Shehi merr drejtimin e Tiranës/ Halili: Ka mbështetje të plotë, kontrata e pafundme nëse ka rezultate
Vetëm dy ditë pas shkarkimit nga detyra të trajnerit Nevil Dede, klubi i Tiranës ka prezantuar trajnerin e ri.
Me anë të një konference për mediat, presidenti Refik Halili, prezantoi si trajner të klubit ish-portierin e kombëtares Orges Shehi.
Gjatë fjalës së tij Presidenti i dha mbështetje të plotë trajnerit e lojtarëve, duke theksuar se në organikën e tyre kanë individë me potenciale tepër të mëdha.
Refik Halili: Ne sot në klubin tonë kemi një situatë ku nuk jemi mirë sa i përket renditjes, të pikëve që kemi marrë, ky është problemi më i madh i joni. Sa i përket gjërave të tjera unë jam shumë i qetë, jam optimist dhe optimizmin e kam tek klubi, tek skuadra, ku gjej rastin të them që kemi pasur një situatë jo të mirë sa i përket rezultateve. Ngarkoj me faj dhe pak fatin që nuk ka qenë me ne, sepse kemi pasur dhe dëmtime. Shpresoj të ecim përpara. Sa i përket kontratës me trajnerin, personalisht do i them profesori që kemi në krahë, është e pafundme, nëse ne do të kemi rezultate të mira. Kështu që kjo ka qenë gjithmonë, kushdo që vjen në drejtimin e klubit, nëse gjërat shkojnë mbarë do të jetë në krye të klubit. Gazetari: Nëse nuk shkojnë mbarë?
Refik Halili: Nëse nuk shkojnë mbarë trajneri gjithmonë nuk do të jetë pjesë e kësaj skuadre, do të jetë një tjetër. Shpresoj ta vazhdojmë këtë rrugë të gjatë nën drejtimin e Orges Shehit.
Gazetari: Objektivi?
Refik Halili: Do të thoja një gjë të tillë, që ju e dini më mirë se sa mua dhe nuk dua të dalin gjëra nga goja ime. Unë prapë them që besoj tek skuadra, absolutisht, sepse në qoftë se do të marrim skuadrën që ne kemi, kemi një skuadër shumë të mirë, kemi 7-8 lojtarë të kombëtares. Shpresoj nga java që do të kemi pas pak ditësh të ecin përpara, gjërat do t'i marrim një e nga një. Ka shumë punë klubi për të bërë, sa i përket linçesnimit. Jemi në një pikë ku nuk kemi të themi shumë fjalë të bukura, por do të flasim në fushë. Kemi besim tek skuadra, nën drejtimin e kapitenit Batha, edhe blerjet që do të kemi e të ecim përpara.
Gazetari: A do të ndërhyni përsëri në formacion?
Refik Halili: Përgjigjen e kam të thjeshtë. Kam lexuar dhe kam dëgjuar si i kam dëgjuar të gjitha gjërat e sportit. Kam dëgjuar disa trajnerë që kanë folur për sa i përket çështjes së ndërhyrjes, e dini vetë se çfarë kanë thonë. Nëse kanë thënë bën ndërhyrje në formacion, merrini të mirëqena, nëse thuhet që nuk ka ndërhyrje ju e dini. Por që është shumë e thjeshtë për mua që të thuash: shiko, ndërhyrja nuk bëhet kot, unë jam shumë i kujdesshëm, jam mjaft i kujdesshëm në këtë drejtim. Nuk kam si të bëj marrëzira. Trajneri është trajner, ai vendos. Por nëse ne sugjerojmë diçka është gjë e mirë jo e keqe. Gjërat bëhet me bashkëpunim.