VIDEO/ Drejt titullit të 9-të rradhazi, Bayern i pamëshirshëm përballë Schalkes

Bayern Munchen nuk tregon aspak mëshirë përballë Schalke 04, duke triumfuar me rezultatin e thellë 0-4 brenda në "Veltins Arena" dhe duke zhytur akoma edhe më shumë në fundin e renditjes skuadrën nga Gelsenkirsheni që tashmë rrezikon seriozisht mbijetesën.

Një sukses që e shkëputi Bayernin në krye të Bundesligas me 7 pikë avantazh nga Leipzig i vendit të dytë.

Kjo fitore vlen dyfish për formacionin e Hansi Flick pasi në javën e 18-të të Bundesligas u mposhtën të gjithë rivalët e bavarezëve në garën për titull, Leipzig, Dortmund dhe Leverkusen.

Bavarezët zhbllokuan ndeshjen me golin e Thomas Muller pas diçka më shumë se gjysmë orë lojë.

Për të vulosur suksesin e kampionëve të Gjermanisë, mendoi i përhershmi Lewandowski që në minutën e 54-t i asistuar nga Kimmich realizoi edhe të dytin që ishte edhe goli i qetësisë për bavarezët.

Në fund fitorja mori shifra më të thella falë golit të dytë personal të Muller dhe finalizimit të David Alabas.

42 pikë për Bayernin pas 18 ndeshjesh në Bundesliga, me titullin e 9-të radhazi që është më afër se kurrë.

Ndërkohë, Schalke 04 qëndron në fund të rënditjes me vetëm 7 pikë në 18 ndeshje.