Largimi i Nevil Dedes, Dabulla për "Sport Magazine": Situatë e pazakontë, Tirana do e vuajë
Largimi i Nevil Dedes nga stoli i Tiranës dhe gjithë polemikat që e pasuan këtë vendim të papritur ishte tema mbi të cilën u diskutua në “Sport Magazine” në Ora News.
Rezart Dabulla, ish futbollist kampion i Tiranës, është shprehur në një intervistë për gazetarin Altin Sulçe se, kjo që ndodhi në klubin bardheblu është e pazakontë dhe e paparë më herët.
“Është me të vërtetë një situatë e pazakontë. Është hera e parë që ndodh, me sa mbaj mend unë që një trajner të largohet 15 minuta para se të fillojë ndeshja, në një situatë kaotike. Nuk di çfarë emri ti ve më saktë. Jemi kthyer në një klub, jo aty ku na takon. Sidomos me këto veprime i prish punë edhe opinionit, edhe skuadrës, edhe klubit. Edhe në imazhin e vet”, tha Dabulla.
Sipas ish mbrojtësit, Tirana do ta vuajë këtë episod, ndërsa shtoi se Dede ishte zgjidhja më e mirë për klubin bardheblu.
“Unë them që Tirana do ta vuajë këtë largim. Dhe do vuajë jo vetëm personi që e largoi nga drejtimi, për mënyrën se si e largoi. Në këtë fazë të kampionatit, me këtë probleme që ka pasur Tirana, besoj se Nevili ishte zgjidhja e duhur dhe më e mirë për ti marrë maksimumin kësaj Tirane".