Basketbolli i pezulluar, kapiteni Shima: Ne bëjmë stërvitje në palestrat e ndaluara, duhet ta zgjidhim këtë punë

Që prej muajit mars të vitit që lamë pas, sporti i basketbollit ka ndaluar aktivitetin e tij në Shqipëri.

Kjo sepse qeveria i ka lënë ende të mbyllura palestrat, pasi e konsideron këtë sport si me rrezikshmëri të lartë të transmetimit të virusit.

Për këto zhvillime u fol në emisionin "Dita e Re", në RTV Ora, ku i ftuar ishte kapiteni i ekipit të Tiranës në basketboll, Gerti Shima.

Sportisti u ndal gjatë tek problematikat që paraqet ky sport, duke e krahasuar dhe me futbollin, i cili është një nga sportet më të ndjekura në botë.

Ai tha se nëse gjysma e financimeve që bëhen në futboll do t'i kalonin basketbollit, do të kishim një përfaqësim dinjitoz dhe në arenën ndërkombëtare.

"Kjo pjesë është harruar në sportin shqiptar. Ka një financim të vakët në këtë sport. Janë fokusuar të gjitha tek futbolli. Normalisht ajo është më e ndjekura, por është abuzuar shumë me këtë. Nëse gjysmat e financimeve të futbollit, të hidhej në basketboll do të kishte impakt më të lartë, edhe jashtë vendit. Nga qeveria nuk kam ndonjë gjë.

Sponsorat nuk para vijnë sepse kemi pak spektatorë. Ky është një problem që vazhdon, vazhdon, vazhdon. Për të afruar sponsorat i them, një herë të vish ti dhe nuk largohesh më. Në momentin që do shohësh një ndeshje basketbolli nuk ikën më nga aty. Nëse në futboll do të qëndrosh 90 minuta dhe nuk mund të ketë gol, në basketboll është tepër atraktiv", tha basketbollisti.

Sakaq, ai foli për rifillimin e kampionatit të basketbollit, të pezulluar përkohësisht nga situata e pandemisë.

Shima tregoi se edhe tani, që palestrat janë të ndaluara, ata ende stërviten në këto ambiente.

Më tej ai shtoi se maksimumi i pjesëmarrësve në një palestër është 33 veta, e ky numër sipas tij nuk përbën një rrezikshmëri të lartë.

"Ne po bëjmë stërvitje, edhe në fushat që ne do të luajmë. Ky është problemi, ne duhet të ulemi dhe ta zgjidhim këtë punë. Në këto momente nëse do të bëhet një rifillim do të jetë maksimumi 33 veta", tha Shima.