"Fundërrina të tilla mund të jenë edhe mjekë por... " Rama reagon për Tiren e "Covid 2": Llum i papërtypshëm
Nuk mund të mos reagonte ndaj zbulimit të skandalit në spitalin “Covid2” ku sanitarja përmes mashtrimit i mori 8 milionë lekë vajzës së një pacienteje.
Ndërsa po inspektonte ambientet e reja të Qendrës Shëndetësore nr. 1 në Tiranë, kryeministri Rama tha se e mira e kësaj ngjarje është fakti që nuk ka mjekë të përfshirë.
“Jam shumë i keqardhur për historinë e sanitares që cenon imazhin, punën e zakonshme të mjekëve dhe infermierëve dhe krijon perceptimin që kjo është një mënyrë e të punuarit, pjesë e sistemit të punës. Realisht e vetmja gjë që më ka pëlqyer në atë ngjarje ka qenë puna e bërë nga gazetarët investigativë, sepse kanë nxjerrë në pah një llum tejet të papërtypshëm, por njëkohësisht nuk ka rezultuar në të gjithë investigimin e tyre që ajo sanitare të ishte e lidhur me mjekë. Nuk ishte një zinxhir. Duhet të jetë një kambanë alarmi për të gjithë, për njerëzit që janë në nevojë që nuk duhet të ndjekin rrugë të tilla, sepse jemi të gjithë në dispozicion."
Rama ka vijuar më tej duke pranuar se ekzistojnë këto fenomene por i konsideroi të veçuara që nuk mund të hedhin poshtë punën e mjekëve dhe infermierëve në vijën e parë të luftës.
"Siç nuk ka pyll pa derra nuk ka asnjë sistem dhe asnjë sektor ku të mos gjenden fundërrina të tilla, që mund të jenë edhe mjekë. Kjo nuk e zhbën kurrë gjithë sakrificën dhe madje në këtë rast të pandemisë edhe heroizmin e mjekëve. Sepse disa prej kolegëve tuaj kanë humbur edhe jetën.
Ju jeni më të ekspozuarit dhe jo vetëm që s’keni lënë njeri rrugëve dhe pa trajtuar, por keni vënë edhe jetën tuaj në rrezik. Të gjithëve ju kanë garantuar mjete mbrojtëse, por kjo flamë ndonjëherë nuk pyet për asgjë. Besoj që me të gjitha këto ndryshime, edhe nga infrastruktura, edhe nga paga, besoj se edhe në këtë aspekt do të ketë përmirësim. Nuk do të ndalemi këtu”, ka thënë kryeministri.