Shpopullimi, Meta mbledh ekspertët: Situata është përkeqësuar
Presidenti Ilir Meta ka zhvilluar një takim me profesorë dhe ekspertë për të diskutuar në lidhje me shkaqet e përkeqësimit të situatës së shpopullimit të vendit.
Meta ka thënë se mosrritja e pagave dhe pensioneve, mungesa e një arsimi cilësor dhe mungesa e mbështetjes për biznesin janë disa prej arsyeve që stimulojnë këtë fenomen.
“Disa nga arsyet që e stimulojnë fenomenin e shpopullimit janë:
Mosrritja e qëndrueshme e pagave dhe pensioneve, por thjesht indeksimi i tyre,e kanë bërë të vështirë koston e jetesës për shumë familje në vend.
Mungesa e mbështetjes së arsimimit cilësor të të rinjve.
Mungesa e mbështetjes së duhur të biznesit.
Situata në vendin tonë është përkeqësuar ndjeshëm sidomos sa i përket mungesës së mbështetjes së biznesit, për të përballuar kostot shtesë të pandemisë.
Sipas Bankës së Shqipërisë të paktën 50 mijë qytetarë kanë humbur vendet e tyre të punës gjatë pandemisë. Mungesa e mbështetjes për këto biznese padyshim që është një kërcënim serioz për t’i shtuar edhe më tej ritmet e emigrimit”, ka thënë kreu i shtetit.