Në Athinë me çështjen e detit në axhendë, media greke "presion" Ramës: Lidhet edhe me aspiratat evropiane të Shqipërisë
Pas vizitës dy-ditore në Turqi, kryeministri Edi Rama do të zhvillojë ditën e sotme një vizitë joformale në Greqi, ku do të takohet me homologun helen Kyriakos Mitsotakis dhe ministrin e jashtëm Nikos Dendias.
Në një postim të tijin në Twitter, Rama shkruan:
“Në Athinë për një drekë pune me Kryeministrin Mitzotakis,për të diskutuar mbi koordinimin e mëtejshëm në luftën e përbashkët kundër Covid19; forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve strategjike mes dy vendeve;bashkëpunimin rajonal dhe integrimin europian të rajonit tonë“.
Ndërkohë gazeta prestigjoz greke "Kathimerini" i ka dedikuar një artikull kësaj vizite, raporton Ora News.
Sipas medias helene, në sfond të takimit do të jetë çështja e detit dhe dakordësia e palëve për ta çuar në Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës.
Greqia, si vend anëtar i Bashkimit Europian, ka veton sa i përket çeljes së negociatave të Shqipërisë ndaj dhe "Kathimerini" nuk e humb rastin për të bërë presion teksa shkruan se, "kjo çështje lidhet edhe me aspiratat evropiane të Shqipërisë", raporton Ora News.
Por ja çfarë shkruan "Kathimerini":
Kryeministri shqiptar Edi Rama do të zhvillojë sot një takim joformal me homologun e tij grek Kyriakos Mitsotakis dhe Ministrin e Jashtëm Nikos Dendias, gjatë një vizite private në Athinë në sfondin e marrëveshjes mes dy vendeve për të dërguar në Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës caktimin e zonave detare.
Çështja lidhet gjithashtu edhe me aspiratat evropiane të Shqipërisë.
Vizita e tij vjen një ditë pasi ai (Rama) u prit ngrohtësisht në Ankara nga Presidenti turk Rexhep Tayyip Erdogan.
Para se të nisej për në Ankara, Rama zhvilloi një bisedë telefonike me Dendias më 5 janar ku u diskutua mbi çështjet dypalëshe dhe zhvillimet rajonale.
Rama dhe Dendias u takuan gjatë vizitës së këtij të fundit në Tiranë, ku u ra dakord për referimin në Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës të mosmarrëveshjeve për zonat detare në Hagë.
Sidoqoftë, të dy palët duhet të nënshkruajnë një marrëveshje zyrtare për këtë çështje, e cila nuk është bërë ende.
Lexo edhe:
/a.r,OraNews