Presidenti Meta dekreton 5 ligjet e marrëveshjes së 5 qershorit: Të mbrohen zgjedhjet e 25 prillit
Kreu i Shtetit kërkon nga SPAK dhe KQZ që të mos lejohet cënimi i zgjedhjeve të 25 prillit deri në momentin që do të certifikohet rezultatit. Me dekretimin e 5 ligjeve të dakordësuara nga PD dhe PS, SPAK do të ketë kompetencë për të hetuar krimet zgjedhore.
Presidenti Ilir Meta nuk është bërë pengësë për 5 ligjet që do të ndikojnë drejtpërdrejtë tek zgjedhjet parlamentare të 25 prillit.
Kreu i Shtetit ka dekretuar paketën e ligjeve, të dakordësuar nga Këshilli Politik, dhe të miratuar në Kuvend, e cila i jep SPAK kompetencë të hetojë shitblerjen e votës, ndërsa bashkëpunëtorët e drejtësisë do të amnistohet nga krimet zgjedhore.
Kreu i Shtetit Ilir Meta kërkon nga SPAK, Prokuroria e Përgjithshme dhe KQZ që të marrin të gjitha masat e nevojshme për të shmangur cënimin e zgjedhjeve parlamentare.
Meta: Çdo fenomen negativ, që vendos në rrezik apo cenon sadopak lirinë e votës, apo synon deformimin e vullnetit të sovranit, duhet të ndëshkohet rreptësisht, në funksion të ruajtjes së legjitimitetit të procesit zgjedhor, deri në certifikimin përfundimtar të rezultateve.
Edhe më herët Ilir Meta i ka bërë thirrje shqiptarëve që 25 prillin ta kthejnë në referendum për interesin kombëtar.
Presidenti Meta, ka dekretuar me shpallje
- Ligjin nr. 146/2020 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 7895, datë 27.1.1995, ‘Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë’, të ndryshuar”;
- Ligjin nr. 147/2020 “Për një shtesë dhe disa ndryshime në ligjin nr. 7905, datë 21.03.1995, ‘Kodi i Procedurës Penale i Republikës së Shqipërisë’, të ndryshuar”;
- Ligjin nr. 148/2020 “Për disa shtesa në ligjin nr. 97/2016,’Për organizimin dhe funksionimin e prokurorisë në Republikën e Shqipërisë’”;
- Ligjin nr. 149/2020 “Për një shtesë në ligjin nr. 96/2016 ‘Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë’, të ndryshuar”;
- Ligjin nr. 150/2020 “Për disa shtesa në ligjin nr. 60/2016, ‘Për sinjalizimin dhe mbrojtjen e sinjalizuesve’”.