Çahet rruga në hyrje të Borshit

Banorët e zonës dhe qytetarët që udhëtuan në aksin Sarandë-Borsh u rrezikuan seriozisht nga kjo shembje në një pjesë të aksit.

Si pasojë e reshjeve të dendura të shiut rruga është ndarë në mes.

Autoriteti Rrugor Shqiptar ka njoftuar se tashmë ka rinisur lëvizja në njërën anë të rrugës, në aksin Borsh –Himarë dhe po ndërhyet për rehabilitimin e pjesës tjetër të dëmtuar.

Kalimi i mjeteve të tonazhit të rëndë në këtë aks është i ndaluar ndërkohë që në këtë segment rezulton të jenë kryer punime vetëm një vit më parë.

Sipas njoftimit në foto  Autoriteti Rrugor Shqiptar në shkurt të vitit 2020 ka bërë të ditur se po kryhej rehabilitimi i këtij aksi.

Sipas fotove bashkangjitur publikimit, punimet janë kryer nga kompania Salillari, e cila e ka për mirëmbajtje këtë segment rrugor.

Referuar të dhënave të publikuara nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, një kontratë për sistemimin dhe asfaltimin e rrugëve lidhëse me bregdetin, Llogara-Sarandë loti i parë, rezulton të jetë nënshkruar në korrik të vitit 2009 me një vlerë prej më shumë se 507 milionë lekë. Dhe vetëm 4 vite më vonë, për këtë aks miratohet një shtesë punimesh prej 101 milionë lekësh.

Sipas dokumentave ky projekt është finalizuar në dhjetor të vitit 2017, ndërkohë që nuk dihet vlera e dhënë në vazhdimësi.

https://youtu.be/92mgANeiJwI