Shkarkohen HEC-et, Nënshkodra zgjohet nën ujë, Ora News në Obotin e rrethuar nga uji
Nënshkodra u zgjua nën ujë. Reshjet intestive të shiut dhe shkarkimet e hidrocentraleve kanë sjellë përmbytjet e para në zonën e Shkodrës ku të paktën 5 njësi administrative raportohen të jenë nën ujë rreth 1500 ha tokë bujqësore, gjatë ditës së sotme, 8 janar 2021.
LEXO EDHE: Orë kritike nga përmbytjet/ HEC-et nisin shkarkimet, lumenjtë në pikë kritike në veri, nisin evakuimet e banorëve
Ana e Malit, Dajçi, Berdica, Velipoja dhe Gur i Zi janë njësitë administrative ku tokat bujqësore ndodhen nën ujë.
Oboti është më i godituri pasi vërshimi i ujit ka bërë të pakalueshme rrugën që të drejton në këtë fshat.
Hyrja në brendësi të tij kryhet vetëm me mjetet e larta të ushtrisë, një prej të cilave prej orëve të drekës së të premtes, (8 janar) është dislokuar në shërbim të banorëve.
Niveli i ujit në Obot ka arritur 60 cm dhe është i pamundur kalimi.
LEXO EDHE: Lumi Gjadër del nga shtrati në Shkodër, përmbyten tokat. Bashkia kërkon ndihmën e ushtrisë
Ora News iu drejtua fshatit me një mjet ushtarak për të parë situatën nga afër, ku pamjet tregojnë se si pak nga pak territorin po e merr në “administrim” miku i padëshiruar.
Inatin ujrave banorët ja njohin mirë, sepse ndër vite kanë humbur shumë nga pasuria e tyre, si në kultura bujqësore dhe në shtëpi e biznese.
I druhet shtimit të shkarkimeve, sepse situata mund të dalë jashtë kontrolli.
"Uji ka shtuar, ka mbuluar rreth 70% të sipërfaqes së tokës. Në qoftë se hidrocentralet vazhdojnë të shkarkojnë do të na dëmtojnë shumë. Do të na dëmtojnë fushat e mbjella me lakra, serat"- thotë Gregor Pemaj, kryeplaku.
Kush nuk ka mjete, ujin vendos ta çajë me biçikletë, si ky banor i zonës që ka shpejtuar të mbledhë produktet e fundit bujqësore që i shpëtuan përmbytjes.

"Kalova por ishte shumë e vështirë , na vjen uji deri te gjuri, ka shumë ujë" thotë ai.
Kryebashkiakja Voltana Ademi që pa nga afër situatën, apelon te banorët e zonave të rrezikuara të marrin masa për sigurimin e gjësë së gjallë, prodhimeve bujqësore, mjeteve dhe pajisjeve të ndryshme që mund të dëmtohen.
Në rast të nevojës për evakuim, ajo thotë se ka kapacitete akomodimi.
"Në këto momente ne nuk kemi probleme me nevojën e evakuimit. Nuk besoj të paktën në këto nivele të kemi nevojë të tillë, nevojën e kemi vetëm për transport. Gjatë gjithë ditëve kemi patur problematika me furnizimin me energji elektrike gjatë gjithë kësaj kohe, kemi rreth 10 ditë që kemi probleme" - thotë ajo.
Edhe prefektja Majlinda Angoni, pas inspektimeve në terren, foli për planin e ndërhyrjes nga emergjencat, në varësi të ndryshimeve që do të ketë situata në terren.
Deri me 12 Janar, IGJEUM ka parashikuar reshje shiu me intensitet të lartë, prandaj zona e nënshkodres mbetet e kërcënuar dhe me sytë nga hidrocentralet, që në rast të prurjeve të shtuara, mund të hapin portat.
Lexo edhe: