Era 'shkatërron' Durrësin bie skela e pallatit, dëmtohen fenerët sinjalizues të portit

Moti i keq me erë të fortë e reshje shiu ka përfshirë një pjesë të vendit duke shkaktuar problematika në qytet dhe pezullim të lundrimit në det.

Këto janë pasojat e stuhisë në Durrës, ndërsa i gjithë vendi është përfshirë nga moti i keq.

Skelat e një objekti në ndërtim në lagjen numër 1 të qytetit bregdetar janë rrëzuar.

Fatmirësisht nuk pati të lënduar edhe pse rreziku ka qenë i lartë.

Dëmtime të ngjashme pati në disa zona të qytetit, kryesisht në biznese.

Shëtitoren buzë detit e kishte mbuluar leshteriku dhe rëra.

Stuhia dëmtoi edhe statujën e Redonit, perëndisë ilire të deteve dhe ujërave, vepër e realizuar nga skulptori i mirënjohur Ilirjan Xhixha që qëndronte në një prej shesheve kryesore buzë Adriatikut.

Gjatë natës forca e detit arriti dallgëzimin 8 ballë, duke dëmtuar 4 nga 8 fenerë sinjalizuesit e rrugës hyrëse të portit detar, ku lundrimet janë të pezulluara deri të mërkurën.

Deri në zëvendësimin e tyre, hyrjet-dalje e mjeteve në port do të bëhen vetem nën urdhrat e kapitenerisë si masë për të shmangur çdo incident të mundshëm në det.

Lundrimet janë pezulluar edhe në portin e Vlorës, që po ashtu është përfshirë nga moti i keq me reshje shiu e erë të fortë.

Në jug e verilindje pati probleme me furnizimin me energji elektrike si pasojë e dëmimit të rrjetit shpërndarës, ndërsa në zonat malore në veri vijuan reshjet e dëborës.

https://youtu.be/lXhM0r-Ba7k