Ekskluzive/ Zbulohen detaje të hakerit durrsak: Si arriti të merrte 15 mln lekë nga pagat e luftës
Zbulohen detaje nga dosja e Denis Trungut, djaloshit 32 vjeçar i cili akuzohet se përmes mashtrimit ka arritur të marrë mbi 15 milionë lekë transaksione.
Veprimet e para kanë nisur në muajin prill kur qeveria miratoi pagën e luftës për bizneset që ishin mbyllur për shkak të pandemisë.
E gjitha nisi më 22 prill 2020 kur Denisi kishte hapur llogari në një bankë me qëllim përfitimin e pagës së luftës duke u deklaruar i punësuar si “kontrollor” pranë kompanisë ontrollor pranë një kompanie transporti “T… L….”
Më pas i riu ka ndërhyrë tek shërbimi dixhital “E-filing” duke transferuar në llogarinë e tij 36 paga lufte.
Ora News ekskluzivisht zbulon detaje nga dosja dhe mëson se shuma prej më shumë se 15 milionë lekëve është transferuar në më pak se një muaj nga periudha 06.05.2020- 22.06.2020, pra gjatë periudhës së izolimit për shkak të pandemisë së koronavirusit.
Kjo shumë është transferuar në 6 banka. Sipas hetuesve lidhur me burimin e të ardhurave rezulton se 32-vjeçari nuk ka patur kreditime në llogari, por ka përdorur një overdraft të paautorizuar.
Ora News zbulon me detajen skemën e mirëfilltë të përfitimit përmes mashtrimit.
“Denis Trungu ka transferuar nëpërmjet 36 transaksioneve shumën prej ALL 15,590,027.61 në banka dhe llogari të tjera, për qëllime të ndryshme si: pagesë për koncert, pagesë qeraje, pagesë faturash si dhe vetëm pagesa të pa specifikuara. Këto transferta janë bërë nëpermjet shërbimit digital. Në lidhje me burimin e të ardhurave rezulton se shtetasi nuk ka patur kreditime në llogari, por ka përdorur një overdraft të paautorizuar. Në vijim nga informacion nga bankat tregtare ka rezultuar se: Shtetasi Denis Trungu ka transferuar shumën prej 15,533,510 Lekë” thuhet në dosjen e prokurorisë.
Gjithashtu, ky shtetas ka tentuar t’i tërheqë këto fonde dhe nga jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë.
Më 25 qershor 2020 është nxjerre Urdhër Nr.44, datë 24.06.2020, i Drejtorisë së Parandalimit dhe Pastrimit të parave për “Bllokim i përkohshëm i transaksioneve” te llogarive bankare pasi ekzistonte dyshime per kryerjen e vepres penale te “Pastrimi i produkteve te vepres penale ose veprimtarise kriminale”, parashikuara nga neni 287 i K.Penal.
Hetuesit pasi kanë marrë nën administrim llogaritë në emër të te riut kanë konstatuar se nga 15 milionë lekë të marra në mënyrë të paligjshme, i riu ka në gjendje vetëm 3.4 milionë lekë të reja.
Nga hetimet e kryera Denis Trungu rezulton të jetë arrestuar në vitin 2018 për veprën penale të Mashtrimit.
Gjithashtu nga të dhënat rezulton i riu ka kryer aktivitete kriminale të njohur në fushën e mashtrimit edhe në disa raste të tjera ne Berat, Elbasan,etj.
32-vjeçari gjithashtu është dënuar me gjobë për kryerjen e veprës penale vetëgjyqësia, i dënuar me 3 muaj burg për kryerjen e veprës penale “Veprime në kundërshtim me vendimin e Gjykatës, si dhe me 9 muaj për veprën penale “Mashtrimi” nga Gjykata e Shkallës së Parë Berat (aktualisht në proces në Gjykatën e Apelit Vlorë).