Rindërtimi në Laç, Erdogan uron Vitin e Ri për shqiptarët: Pasojat e fatkeqësisë do ti kalojmë bashkë
Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan përshëndeti ceremoninë e organizuar sot të nisjes së punimeve në qytetin e Laçit, një nga zonat e prekura nga tërmeti i 26 nëntorit 2019.
Në një video-mesazh, Erdogan vlerësoi marrëdhëniet mes dy vendeve ndërsa u shprehu edhe një herë ngushëllimet familjarëve të personave që humbën jetën nën rrënoja.
“Përshëndes Shqipërinë dhe vëllezërit shqiptarë. Shqipëria është miku dhe parnteri i afërt i Turqisë në Ballkan. Ne shohim gëzimin e popullit shqiptar si gëzimin tonë dhe pikëllimin e tij si pikëllimin tonë"
"T’ua dorëzojmë sa më shpejt vëllezërve shqiptarë që kanë humbur banesat e tyre gjatë tërmetit. Me këtë rast, edhe një herë, për vëllezërit tanë shqiptarë që humbën jetën uroj mëshirën e Zotit ndërsa ngushëlloj familjarët. E lus Zotin tim të na mbrojë nga çdo fatkeqësi dhe nga sëmundjet epidemike.
Përshëndes edhe zotin Rama. E ndoqa fjalën e tij. Kam bindjen se këto pasoja të fatkeqësisë do ti kalojmë sa më shpejt. Të prekurve nga tërmeti do të bëjmë të mundur sa më shpejt të jenë të sigurtë.
"Ky projekt i cili përfshin 542 banesa dhe do kushtojë 42 milionë euro të jetë i dobishëm dhe i hajrit për të gjithë ne. Banesat e ndërtuara nga shteti turk për vëllezërit e Laçit të jenë të dobishme dhe të hajrit”, tha Erdogan.
Në fund edhe një urim me rastin e festave të fundvitit: “Ju uroj edhe Vitin e Ri që po afron. Edhe një herë ju përshëndes përzemërisht dhe miqësisht. Ju uroj shëndet”.
Zona 1 e lagjes së re në Laç financohet nga qeveria turke, zona 2 nga qeveria shqiptare.
Zona 1 ka 524 apartamente, 37 njësi shërbimi, 375 vendparkime, qendër tregtare, njësi shërbimi e infrastrukturë sipas standardeve europiane.